Portieri i Kosovës

Kompany mbron Muriqin pas gabimit që bëri: Gabimet ndodhin, ato na mësojnë dhe na bëjnë më të fortë


Trajneri Vincent Kompany është i bindur se portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, do të bëhet më i mirë pas gabimit që ekipit të Burnleyt i kushtoi me humbje nga Evertoni.

Burnley u mposht 1:0 me golin e Domenic Calvert-Lewin në fundjavën e kaluar.

Portieri kosovar Muriq gaboi gjatë tentimit për ta larguar topin, duke e goditur sulmuesin Calver-Lewin, me topin që përfundoi në rrjetë.

“Ai duhet të vazhdojë, është pjesë e karrierës së një futbollisti profesionist. Sigurisht që ne të gjithë jetojmë me gabimet që bëjmë, kjo ndodh për të gjitha në jetë dhe në futboll nuk është ndryshe. Por janë momentet që të bëjnë edhe më të mirë”, ka thënë Kompany për sajtin e afërt me klubin elitar të Premier Leagues, “Burnley Express”.

Ai, megjithatë, dha edhe lëvdata për portierin e Kosovës për mënyrën se si u rikthye për të t’u paraqitur në pjesën e dytë.

“Nëse shikoni paraqitjen e tij në pjesën e dytë, ai tregoi edhe momente të mira. Nëse ai nuk e luan rolin e tij, atëherë kjo do të ishte e pamundur për ne”, ka theksuar Kompany.

Muriq ka qenë portier i dytë gjatë gjithë këtij edicioni në elitën angleze. Vetëm në tri ndeshjet e fundit ka fituar besimin e trajnerit Kompany. Në dy ndeshjet e kaluara ishte ndër më të dalluarit.

Humbja ia zvogëlon gjasat për mbetje në elitë Burnleyt. Ka 19 pikë në vendin e 19-të, gjashtë më pak se skuadra e vendit të 17-të.