Kompanitë farmaceutike zotohen se do t’u përmbahen standardeve për vaksinën anti-COVID

Një grup prej nëntë zhvilluesish të vaksinave ka njoftuar për një “zotim historik” për t’iu përmbajtur standardeve shkencore dhe etike në kërkim të vaksinës për koronavirus.

Kompanitë, përfshirë “Pfizerin” dhe “Merckun”, kanë thënë se do të aplikojnë për aprovim në rregullatorë vetëm pasi vaksinat të kalojnë të tri fazat e testimeve.

Ky zotim vjen pas debateve të shumta për sigurinë e vaksinave. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë vaksinën para zgjedhjeve të nëntorit, shkruan BBC.

Asnjë vaksinë s’ka kompletuar testimet klinike, duke bërë që shumë shkencëtarë të frikësohen se mos vaksina po kthehet në çështje politike dhe besimi publik do të dëmtohej.

Në zotimin e tyre, nëntë kompanitë farmaceutike, kanë thënë se “do të kenë prioritet sigurinë dhe mirëqenien e individëve të vaksinuar”.

Kompanitë tjera të përfshira janë gjigantët “Johnson&Johnson”, “BioNTech”, “GlaxoSmithKline”, “AstraZeneca”, “Moderna” dhe “Novavax”.

“Bashkë, këto nëntë kompani kanë zhvilluar më shumë se 70 vaksina që kanë ndihmuar në zhdukjen e disa prej kërcënimeve më komplekse dhe vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.

Rreth 180 kandidatë për vaksina janë duke kryer testime në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kina dhe Rusia tashmë kanë nisur të vaksinojnë grupe punëtorësh me vaksinat e zhvilluara.

OBSH-ja ka thënë se nuk pret që një vaksinë të aprovohet sivjet.