Kompania që shet dru do t’i lajë xhipat dhe limuzinat e ministrisë së Arbërie Nagavcit, Qeveria Kurti i dha edhe tenderë të tjerë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, ka vendosur që t’i shpenzojë mbi 9 mijë euro për larjen e veturave. Tenderin për këtë punë ia ka besuar kompanisë Ajani & Adami. Në listën e veturave që do të pastrohen janë disa xhipa, limuzina e kombi.

Një kompani private, e cila si aktivitet kryesor e ka tregtinë me drunj dhe transportin e mallrave, do t’i pastrojë veturat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci.

Sipas njoftimit të shpallur në e-prokurim, biznesi afarist “Ajani & Adami Sh.P.K” është shpërblyer me kontratë për larjen e automjeteve zyrtare të këtij institucioni, shkruan Demokracia.com.

Larja e veturave, Ministrisë së Arsimit do t’i kushtojë hiç më pak se 9 mijë e 820 euro.

Sipas tenderit, kompania “Ajani & Adami Sh.P.K.” do të pastrojë automjetet e ministrisë për dy vitet e ardhshme.

“Rezultati i aktivitetit te prokurimit: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shpërblen me kontratë Operatorin Ekonomik: AJANI & ADAMI SH.P.K., Mark Isaku, Nr.30, -, PRISHTINË, në vlerë totale të ofertës: 9820,00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur, përcjell Demokracia.com.

Kontrata mes kompanisë fituese dhe Ministrisë së Arsimit është nënshkruar dje.

“Data e dhënies së kontratës 09.08.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 09.08.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 1. Nëse është vjetore apo mujore (ju lutemi shënoni) numrin e viteve 2 apo muajve 24”.

Në dosjen e tenderit është treguar se veturat që do të dërgohen për pastrim në autolarje janë disa xhipa, limuzina e kombi.

Pastrimi i tyre do të bëhet brenda dhe jashtë, ndërsa një herë në vit do të ketë edhe pastrim gjeneral.

“Lloji i Automjeteve – vetura të MAShTI-t: Limozina – 24. Xhipa – 8. Kombi – 3. Pastrimi i te gjitha automjeteve – veturave brenda dhe jashtë. Cope 1900. Pastrimi gjeneral i te gjitha veturave nga një herë ne vit, për çdo veturë, cope 70”, thuhet në dosjen e tenderit, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, Ministria e Arsimit është kujdesur që t’i japë edhe disa sqarime dhe detaje shtesë për pastrimin e veturave, duke treguar se çfarë nënkuptohen edhe me nocionin “larja e automjeteve”.

“Sqarim: Pastrimi nënkupton se duhet të bëhet pastrimi i hapësirës së brendshme, larja e tepihëve të këmbëve, pastrimi i pluhurit brenda me makina përkatëse, fshirja e enterierit të brendshëm të automjetit. Larja e automjetit nënkupton larjen e automjetit nga jashtë, sipas praktikave të njohura, dhe atë paralarja, larja me preparatet – shampon – për larje dhe largimi i ujit të mbetur nga karoseria – terja e automjetit. Të jenë të kujdesshëm stafi i OE gjatë pastrimit-larjes dhe terjes së automjetit mos t’i gervishin”, thuhet në këtë sqarim, përcjell Demokracia.com.

Nuk kanë munguar edhe kriteret që duhet t’i përmbushë kompania fituese.

“Ofruesi i shërbimeve “Autolarja”- për larjen dhe pastrimin e automjeteve duhet të plotësoj-ofroj këto kushte: Të ketë hapësirë të jashtme (oborr) parking të mjaftueshëm për automjetet e MAShTI-t, të cilat arrijnë për pastrim dhe larje. Të ketë së paku 3 e më shumë kabina për autolarje. Kërkohet të jetë në diametrin e afërt me objektin e MAShTI-t për arsye të afërsisë dhe punës dinamike që ka MAShTI”, tregohet aty.

Mirëpo, duket se këto kriteret nuk janë përfillur tek kompania fituese, pasi ajo nuk ka shumë të dhëna mbi larjen e veturave.

“Ajani & Adami Sh.P.K.” është një kompani me bazë në Prishtinë.

Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania figuron të ketë “tregtinë me shumicë të drunjve” si aktivitet primar.

Si aktivitet sekondar, kompania ka deklaruar tregtinë me pakicë të karburantit për automjete. Në ARBK, “Ajani & Adami” nuk figuron e autorizuar për larje të automjeteve, por ajo i ka marrë shumicën e institucioneve, pasi në pushtet ka ardhur LVV-ja. Kompania është në pronësi të Fatbardh Malokut dhe Meriton Malokut.

Kompania “Ajani & Adami Sh.P.K.” është biznesi që më së shumti merr tenderë nga Qeveria e Kosovës.

Një tender të tillë për larje të veturave këtij biznesi ia pati dhënë edhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës në vlerë të mbi 3 mijë eurove.