Veri

Kompania që furnizon veriun me rrymë ka vetëm një punëtor të deklaruar

Kompania “Elektrosever”, e cila ka marrë përgjegjësinë për furnizimin me rrymë të veriut të Kosovës, në Administratën Tatimore të Kosovës e ka deklaruar vetëm një punëtor. Ndërkaq gjatë vrojtimit të KOHËS para objektit të kësaj kompanie janë parë një numër njerëzish që regjistroheshin për hyrje-dalje. Lidhur me këtë, në ATK nuk kanë dhënë përgjigje nëse ka pasur inspektim për numrin e punëtorëve dhe mosdeklarimin eventual të tyre

Me vetëm një punëtor të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, kompania “Elektrosever” ka marrë përgjegjësinë e furnizimit me rrymë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kjo kompani, e cila është regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, vetëm një punëtor e ka të deklaruar edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Ndërkaq puna që i është përcaktuar në portofol përfshin furnizimin, faturimin dhe mbledhjen e borxhit.

KOHA ka vizituar dy objektet e kompanisë “Elektrosever” në Mitrovicë të veriut, dhe gjatë qëndrimit për një kohë të shkurtër, ka parë tek hynë e dalin shumë njerëz, e të cilët edhe regjistronin lëvizjet e tyre në pajisjen e veçantë për identifikim të punëtorëve.

Në Administratën Tatimore të Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim e kanë pohuar se kjo kompani e ka deklaruar vetëm një punëtor në nëntor të 2022-s, për të cilin paguan tatim.

“Numri i punëtorëve që kompania ‘Elektrosever’ ka deklaruar në Administratë Tatimore të Kosovës është një punëtor. Po, është duke deklaruar dhe paguar tatimet”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Por ATK-ja nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e tjera, si për shembull nëse zyrtarët e saj kanë inspektuar ‘Elektroseverin’ për numrin e saktë të punëtorëve, nëse kanë shqiptuar ndonjë gjobë ose nëse e kanë proceduar rastin në institucionet e tjera përgjegjëse.

Sipas Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore thuhet se çdo punëdhënës duhet të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës.
Ndërsa për punëdhënësit që nuk i deklarojnë punëtorët parashihen edhe masa nga ATK-ja.

“Masat të cilat ATK mund t’i marrë për të gjithë ata punëdhënës që nuk i deklarojnë, nuk e njoftojnë Administratën Tatimore një ditë pa e filluar punën, për të gjithë punëdhënësit është fjala, atëherë ATK ka të drejtë të zbatojë një gjobë prej 500 eurosh për çdo punëtor që ATK e gjen e i cili nuk është deklaruar”, ka thënë kontabilisti Kushtrim Ajvazi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në dhjetor të vitit të kaluar kishte thënë se numri i punëtorëve të “Elektroseverit”, ndër të tjera, do të përdorej edhe për të verifikuar proporcionalitetin me tarifat e aplikuara.

“Që nga data 1 janar ‘Elektrosever’ është i detyruar që për çdo punëtor që i ndan pagë të raportojë te Administrata Tatimore e Kosovës, ku pastaj ne ato të dhëna i përdorim për të verifikuar se a është proporcionale me tarifat”, pati thënë Bislimi në RTK gjatë dhjetorit.

Për informacionet mbi numrin e punëtorëve të “Elektrosever” dhe përputhjen e tyre me tarifat e vendosura, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje.