Kompania që furnizon MPB-në me pasaporta ende duke u kontrolluar nga Dogana për mbideklarim

MPB e shpërbleu me tender mbi 4 milionë euro kompaninë gjermane “Veridos Gmbh” për furnizimin me material për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë, kjo e fundit kishte aktakuzë për veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” për fshehjen e 25 mijë pasaportave.

Disa ditë më vonë, Dogana e Kosovës i ka kthyer përgjigje Gazetës Express, lidhur me dyshimet se kompania në fjalë sivjet ka deklaruar ngarkesën me mall me letërnjoftime dhe pasaporta me vlerë mbi 1 milionë euro, por që vlera e mallit ishte mbi 500 mijë euro.

“Me datë 31.03.2023 nga subjekti tregtar në fjalë ka deklaruar për zhdoganim ngarkesën me mall letërnjoftime dhe pasaporta me vlerë 1,026,776.76 euro. Gjatë kontrollimit fizik nga ana e zyrtarëve Doganor është hasur në Deklaratën Eksportuese nga Greqia ku eksportues figuron kompania nga Athina me emër te ngjashëm dhe ka lëshuar faturën në emër të kompanisë së njëjtë me seli në Gjermani, për mallin e njëjtë por me vlerë prej 563,336.55 Euro. Dogana e Kosovës fillimisht ka konfirmuar me MPB se malli në fjalë është për nevoja te tyre dhe është konform Kontratës së nënshkruar, e më pastaj ka filluar Auditimin, ku përpos verifikimeve të Librave Hyrëse dhe Dalëse te Kompanisë me emër të njëjtë me njësi të regjistruar në Kosovë dhe Transaksioneve Financiare (kontrolle e cila është ne vazhdimësi), verifikimit te deklarimeve te rregullta pranë ATK-së, e po ashtu është përgatitur edhe kërkesa për verifikim ndërkombëtar pranë Doganës Gjermane”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Lidhur me këtë çështje, Dogana thotë se deri më tani nuk është argumentuar ndonjë parregullsi dhe se nuk janë plotësuar kushtet për ushtrim të veprimeve penale, por theksojnë se kontrolli ende s’ka përfunduar.

“Duke pasur parasysh se deri më tani nuk është argumentuar ndonjë parregullsi dhe lënda është ne trajtim Administrativ, nuk janë plotësuar kushtet per ushtrim të veprimeve penale. Me rastin e përfundimit te Kontrolles pas Importuese varësisht nga te gjeturat do te merren veprimet konform legjislacionit ne Fuqi”, tuhet më tej në përgjigjen e Doganës.

Në të kaluarën, Dogana e Kosovës kishte bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kompanisë për mosdeklarim të saktë të mallit dhe i njëjti pas trajtimit nga ana e prokurorit të shtetit ka rezultuar me aktakuzë kundër kompanisë “Veridos Gmbh”, dega në Kosovë.

“Lidhur me pyetjen tuaj për te kaluarën, ju njoftojmë se ndaj subjektit në fjalë në muajin shkurt të vitit 2021 është ushtruar Kallëzim Penal ne Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për mosdeklarim te saktë te sasisë se mallit”, thuhet më tej në përgjigjen e Doganës.

Ministria e Punëve të Brendshme në dhjetor të vitit 2022 ka lidhur kontratë me procedurë emergjente, për furnizimin me material për pasaporta, leternjoftime dhe patentë-shoferë, me kompaninë gjermane  “Veridos Gmbh”, ndaj së cilës Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2022 në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.