Kompania që do t’i punësojë 2000 kosovarë është regjistruar 1 javë më parë. Dyshime para liberalizimit të vizave?

Kompania kosovare “B.S.B. Aviation” e cila po synon të punësojë rreth 2000 persona nga Kosova në Gjermani, është bërë temë diskutimi pas zhvillimeve të ditës së djeshme.

Dje, kjo kompani ka patur një takim njoftues për të gjithë të interesuarit, që të shkëmbejnë informacione rreth mënyrës së aplikimit. E kjo zgjoi kurreshtje të madhe të të rinjve, pasi që u panë me mijëra të pranishëm në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajl Berisha”.

Lajmi bëri bujë, e nuk i shpëtoi as Kryeministrit Haradinaj, i cili sot, pas homazheve tek shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti, u pyet nga gazetarët se a është në dijeni për këtë kompani.

Kryeministri tha se organet e rendit janë në dijeni për këtë kompani dhe se po presin të njoftohen rreth kësaj çështje.

Ballkani.info ka hulumtuar se kush më të vërtetë është kompania “B.S.B Aviation”.

Kjo kompani në ARBK (Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve) figuron e regjistruar vetëm një javë me parë dhe në kapital të kompanisë, figurojnë vetëm 1000 euro.

Adresa e kompanisë, është e vendosur në Prizren, ndërsa numri kontaktues me sa duket nuk është në dispozicion, sipas personave të interesuar që kanë provuar t’a kontaktojnë.

Ballkani.info ka provuar gjatë ditës të bie në kontakt me pronarin e kësaj kompanie, Bujar Berishën, por i njejti nuk ka pasur çasje në telefon.

Në anën tjetër burime të Ballkani.info brenda organeve shtetërore thonë se ka dyshime të fuqishme se e gjithë kjo mund të ketë qenë e orkestruar në mënyrë që imazhi i Kosovës para liberalizimit të vizave të jetë shumë i keq.

“Kjo që ka ndodhur nuk është normale. Kemi dyshime të fuqishme se kjo është bërë që të njolloset imazhi i Kosovës në prag të liberalizimit të vizave. Dikush mund ta ketë menduar mirë këtë punë në mënyrë që në Bashkimin Evropian dhe vendet hezituese për liberalizim, të shkojë fotografia e mijëra të rinjve kosovarë që kërkojnë punë. Çfarë do të thonë hezituesit e liberalizimit të vizave kur i shohin këto pamje”, thonë këto burime për Ballkani.info.

Prokuroria pritet që së shpejti të merret me këtë çështje dhe t’i sqarojë deri në detaje shqetësimet e ngritura. /Ballkani.info/