Kompania kosovare në Listën e Zezë: U kontraktua me 350 mijë dollarë për shërbime në luftimin e pandemisë

Qeveria e Kosovës kishte kontraktuar për menaxhimin e blerjeve të disa produkteve për ta luftuar koronavirusin, Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS). KDI ka gjetur se kjo organizatë, e ka kontraktuar për 350 mijë dollarë kompaninë e cila është future në Listën e Zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar një komunikatë për media ku bën me dije se një kompani që është future në Listën e Zezë të operatorëve ekonomik, ka fituar kontratë në vlerë prej 350 mijë dollarësh.

KDI njofton se kjo kompani ishte future në Listën e Zezë me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit më 1 shkurt të vitit të kaluar dhe sipas rregullave të prokurimit nuk mund të ofertonte apo të kontraktohej për një periudhë një vjeçare.

Mirëpo KDI njofton se kompania ‘Interlab Sh.P.K”, ka fituar kontratë para se të përfundonte afati i listës së zezë, përkatësisht më 13 janar 2022 dhe atë hic më pak se ne vlerën prej 350 mijë dollarësh.

Njoftimi i plotë:

𝗞𝗗𝗜: 𝗞𝗼𝗺𝗽𝗮𝗻𝗶𝗮 𝗾𝗲̈ 𝗲̈𝘀𝗵𝘁𝗲̈ 𝗻𝗲̈ 𝗟𝗶𝘀𝘁𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝗭𝗲𝘇𝗲̈ 𝗳𝗶𝘁𝗼𝗻 𝗸𝗼𝗻𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲̈ 𝗽𝗲̈𝗿𝗺𝗲𝘀 𝗨𝗡𝗢𝗣𝗦

Me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), më 1 shkurt të vitit 2021, 𝐤𝐨𝐦𝐩𝐚𝐧𝐢𝐚 𝐈𝐧𝐭𝐞𝐫𝐥𝐚𝐛 𝐒𝐡.𝐏.𝐊 është futur në Listën e Zezë të operatorëve ekonomikë. Rregullat e prokurimit përcaktojnë që kompanitë që futen në listë të zezë nuk kanë të drejtë të ofertojnë apo të fitojnë kontratë për një periudhë deri një vjeçare.

Sidoqoftë, kjo kompani, pak ditë para se të bëhej një vit, më 13 janar 2022 ka fituar një kontratë në vlerë prej rreth 𝟯𝟱𝟬,𝟬𝟬𝟬 𝗱𝗼𝗹𝗹𝗮𝗿𝗲̈ nga UNOPS, organizatë kjo të cilën Qeveria e Kosovës e kontraktoi për të menaxhuar me blerje të disa produkteve dhe shërbimeve për të luftuar pandeminë Covid 19.

Sipas Ligjit për Prokurim Publik, nëse një kompani gjatë procesit të tenderimit bën ndonjë falsifikim të dokumentacionit ose paraqet ndonjë deklaratë të rreme, atëherë mund të futet në Listë të Zezë për një periudhë maksimale prej 12 muajsh.

Vendimi merret nga OSHP, pas kërkesës nga autoriteti kontraktues.

Në rastin e Interlab SH.P.K, kërkesa për t’a futur në listë të zezë ishte bërë nga SHSKUK, dhe e njejta ishte aprovuar nga OSHP. Gjatë periudhës së diskualifikimit, kompania Interlab nuk ka pasur të drejtë që të ofertojë dhe të fitojë kontratë në aktivitete të prokurimit.

Gjatë vitit 2020, Kuvendi i Kosovës – Skupština Kosova i ka miratuar disa kredi ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i cili është pjesë e Bankës Botërore. Sipas marrëveshjes, prokurimi i disa produkteve mjekësore ka kaluar tek Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).

Për të menaxhuar me shërbimet e prokurimit në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova do t’i paguajë UNOPS-it një buxhet prej rreth një milion Euro. Megjithatë, sipas marrëveshjes UNOPS realizon prokurimet duke zbatuar procedurat e saj të prokurimit dhe jo Ligjin për Prokurim Publik. përkundër që blen me para nga buxheti i Kosovës.

#KDI ngrehë shqetësimin që prokurimet të cilat realizohen përmes UNOPS duhet të përfillin rregullat dhe ligjet e Kosovës, sepse nëse në të kundëtën ato do mund të nxisin kompanitë e papërgjegjshme të tentojnë të marrin kontrata.

KDI i rekomandon Ministria e Shëndetësisë, që si implementuese e projektit “Projekti Emergjent Covid-19 për Kosovën” të punojë ngushtë me UNOPS dhe të kërkojë që gjatë blerjeve të merren parasysh ligjet e Republikës së Kosovës, sidomos Ligji për Prokurimin Publik dhe dispozitat që rregullojnë diskualifikimin dhe përshtatshmërinë e operatorëve ekonomik.