Padia

Kompania e Sigurimeve “Illyria” dhe Kryqi i Kuq në “betejë ligjore” për 249 mijë euro (DOKUMENT)

Sektori privat shpeshherë është viktimë e ligjeve të miratuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilat i marrin “copy-paste” nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Një i tillë është edhe ai për Kryqin e Kuq të Kosovës, i cili për realizimin e detyrave dhe obligimeve të përcaktuara me Ligjin nr. 03/L-179 për Kryqin e Kuq të Republikës së Kosovës, siguron mjete financiare edhe nga sigurimi i obligueshëm i automjeteve, përkatësisht 1 për qind nga bruto primi i vlerës së sigurimit të automjetit, raporton Ballkani.info.

Kryqi i Kuq i Kosovës e kishte paditur Kompaninë e Sigurimeve “Illyria”, duke u bazuar në nenin 14, paragrafi 1.7., i po këtij ligji, por beteja ligjore mes tyre po vazhdon ende në shkallën e tretë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e Kryqit të Kuq të Kosovës më 16 nëntor 2016, duke nxjerr vendim detyrues për kompaninë “Illyria”, që në emër të grumbullimit të bruto primit nga sigurimi i automjeteve për 1 për qind, nga 5 gushti 2010, deri më 31 korrik 2016, t’ia paguajë Kryqit të Kuq të Kosovës shumën prej 248,648 euro dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 1,065 eurosh.

Pas këtij vendimi, Kompania e Sigurimeve “Illyria” ishte ankuar në Gjykatën e Apelit të Kosovës për aktgjykimin e 12 qershorit 2018, por sërish nuk ishte përfillur ankesa e saj.

Gjykata e Apelit e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën dhe zgjerimin e ankesës së kompanisë “Illyria”, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Megjithatë, kompania “Illyria” nuk ishte dorëzuar dhe e kishte vazhduar betejën ligjore në kërkim të të drejtave që pretendon se ia siguron shteti i Kosovës, transmeton Ballkani.info.

Kjo lëndë tani ndodhet në Gjykatën Supreme të Kosovës, në procedim e sipër, sipas revizionit të të paditurës Kompania e Sigurimeve “Illyria”, e cila e kishte adresuar në këtë shkallë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e saj.

Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, konkretisht në nenin 24, që përfshin barazinë para ligjit dhe në nenin 46 që përfshin mbrojtjen e pronës, por edhe në nenin 119 dhe 120 që përfshijnë parimet e përgjithshme për ekonominë e tregut të lirë dhe financat publike, kompania “Illyria” ka arritur që lëndën ta dërgoj edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Beteja ligjore ndërmjet Kompanisë së Sigurimit “Illyria” dhe Kryqit të Kuq të Kosovës, ku është i përfshirë edhe Avokati i Popullit, i cili i jep të drejtë kompanisë “Illyria”, ende po vazhdon dhe nuk ka epilog.

Avokati i Popullit konkludon se ka dyshime të bazuara se norma ligjore mbi të cilën është varur vendimmarrja e gjykatës mund të jetë e papajtueshme me Kushtetutën e Kosovës.

Parimi i shtetit të së drejtës, sipas tij, obligon autoritetet publike, përfshirë gjykatat, që t’i kushtojnë rëndësi dhe kujdes të veçantë supremacisë së Kushtetutës ndaj ligjeve dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, në procedurat që zhvillohen para tyre.

Për të njëjtën çështje, mësohet se Zyra e Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa edhe nga tetë kompani të tjera të sigurimeve./Ballkani.info/