Nën presionin e Shteteve të Bashkuara, drejtori i shërbimit kryesor të inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin, dha dorëheqjen nga posti i tij. Siç shpjegoi ai, “Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja po e kërkojnë kokën e tij si kusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”, shkruan Genadi Sisojev në një artikull në Kommersantin rus.

Ai shkruan se “anti-perëndimori dhe prerazi pro-rusi, Aleksandar Vulin ishte përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA-së me akuzat për korrupsion, kontrabandë droge dhe lehtësim të aktiviteteve malinje të Rusisë në Ballkan”.

Teksti thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhej të sakrifikonte aleatin e tij të ngushtë vetëm nën presionin e Perëndimit, por mirësjellja ndaj Shteteve të Bashkuara nuk do të thotë se Beogradi braktis politikën e tij të mëparshme ndaj Federatës Ruse, por është vetëm një përpjekje për të shmangur sanksionet e reja perëndimore, transmeton Ballkani.info.

Aleksandar Vulin, kujtohet në tekst, ka kaluar pak më pak se një vit si drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Përpara se të ishte kreu i shërbimit kyç të inteligjencës në dhjetor, ai ka qenë fillimisht në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas të Ministrisë së Brendshme. Ndaj me të drejtë quhet “figurë me ndikim nga rrethi i ngushtë i presidentit”.

Në vitet e fundit, ai vizitoi disa herë Federatën Ruse, ku u takua me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, dhe në maj mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, për të cilën u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Ukraina.

Në verë, Aleksandar Vulin u shtua në listën e sanksioneve amerikane. SHBA-të e akuzuan atë për korrupsion, përfshirje në krimin ndërkombëtar dhe trafikun e drogës dhe “lehtësim të aktiviteteve malinje të Rusisë në Ballkan”.

Burimet diplomatike të Kommersantit në rajon e quajtën më pas përfshirjen e Aleksandar Vulin në listën e zezë amerikane “një sinjal të qartë nga Perëndimi për Presidentin e Serbisë se është koha për të hequr qafe personelin pro-rus”.

Në shtator, media të shumta serbe, duke iu referuar “burimeve në udhëheqjen më të lartë të vendit”, raportuan për dorëheqjen e Aleksandër Vulin nga posti i kreut të BIA-s si “punë e përfunduar”.

Mirëpo, presidenti i Serbisë asokohe nuk kishte marrë një vendim të tillë, ndonëse pranoi se “e kishte menduar”, por, gjoja, nën presionin e mediave, nuk ka dashur të zëvendësojë askënd.

Dy muaj më vonë, Aleksandar Vuçiq pranoi dorëheqjen e kreut të BIA-s.

Duke e quajtur Aleksandar Vulinin “bashkëluftëtarin tim, me të cilin kaloi shumë kohë”, presidenti serb pranoi se “ka pasur presion që në fillim të emërimit të tij në këtë detyrë”.

“Vulin nuk ka qenë agjent i Rusisë dhe nuk do të doja të them se kush është agjent i vendeve të tjera, kryesisht të vendeve perëndimore dhe kush është agjent i SHBA-së”, tha presidenti i Serbisë.

Shtetet e Bashkuara mirëpritën dorëheqjen e Aleksandar Vulinit nga posti i drejtorit të shërbimit kyç të inteligjencës së Serbisë.

Ekspertët e Ballkanit janë pothuajse unanim se presidenti i Serbisë u detyrua të sakrifikonte aleatin e tij të ngushtë vetëm nën presionin e Perëndimit, por edhe një mirësjellje kaq e dukshme ndaj Shteteve të Bashkuara nuk do të thotë një ndryshim serioz në politikën e Aleksandar Vuçiqit.

“Presidenti i Serbisë është dashur të zëvendësojë Vulinin, por ai nuk po largohet nga posti i tij”, tha analistja politike serbe, Sonja Biserko.

Daniel Serwer, një ekspert për Ballkanin nga Universiteti Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, përsërit: “Dorëheqja e Vulin nuk do të thotë ndryshim në politikën e Serbisë për të mbështetur Rusinë, është vetëm një përpjekje e Beogradit për të shmangur sanksionet e reja perëndimore”.

Sido që të jetë, vendimi i Aleksandar Vuçiqit për të hequr qafe kreun e shërbimit kyç të inteligjencës, i cili është “thashtësisht antiperëndimor dhe prerazi pro-rus”, përshtatet mirë me politikën e presidentit serb “të ulet në dy karrige”, kur ai në mënyrë alternative dërgon sinjale në Perëndim dhe Lindje, përfundon Kommersant. /Ballkani.info/