Rekomandim

Komisioni votoi për marrjen e mandatit Gruevskit, vendimi përfundimtar në mbledhje plenare

Komisioni i Kuvendit për çështje të rregullores dhe çështje të mandatit dhe imunitetit sot me shumicë votash “pro” e pranuan kërkesën e gjykatës dhe i rekomanduan Kuvendit që t’ia marrë mandatin deputetit Nikolla Gruevskit për shkak të vuajtjes së dënimit dyvjeçar me burg për rastin “Tank” të Prokurorisë Speciale Publike.

Për marrjen e mandatit të Gruevskit votuan pesë prej nëntë anëtarëve të Komisionit. Në fillim të seancës të pranishëm ishin edhe deputetë nga pozita dhe nga VMRO-DPMNE opozitare. Ata erdhën në Komision por, pas shfaqjes së vërejtjeve të Trajko Veljnanovskit se po udhëhiqet proces politik e jo juridik u larguan nga seanca.

Kryetari i komisionit Pavle Bogoevski tha se ai e mbështet kërkesën dhe do të votojë për marrjen e mandatit të Gruevskit sepse veprat për të cilat akuzohet e bëjnë të padenjë për kryerjen e funksionit të deputetit.

Në seancë ishte ftuar edhe Gruevski, por ai nuk mori pjesë sepse ishte në gjykim për lëndën “Titanik”.

Kërkesa për marrjen e mandatit të Gruevskit është sipas nenit 59 nga Rregullorja e Kuvendit të RM-së. Me të parashikohet që për një deputet të dënuar për vepër penale ose vepër tjetër ndëshkuese që e bën të padenjë për kryerjen e funksionit të deputetit, njoftim tek kryetari i Kuvendit të dorëzojë gjykata e cila e ka shqiptuar dënimin.

Me këtë nen nga Rregullorja e Kuvendit është paraparë që Propozim për marrjen e mandatit të deputetit të parashtrojë Komisioni për çështje procedurale dhe mandatare-imunitare, në afat prej 15 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit nga kryetari i Kuvendit. Pas propozimit të Komisionit për çështje procedurale mandatare-imunitare për marrjen e mandatit të deputetit, Kuvendi zhvillon shqyrtim në seancën e parë të ardhshme, ndërsa shqyrtimi mund të përfundojë me sjelljen e vendimit për marrjen e mandatit të deputetit ose me konkludim se nuk ka elemente për marrjen e mandatit të deputetit. Që t’i merret mandatit Gruevskit, Kuvendit i nevojitet shumicë prej dy të tretave. E pasigurt është nëse për marrjen e mandatit të ish-kryeministrit do të votojnë 80 deputetë, nëse dihet se deputetët nga partia opozitare VMRO-DPMNE nuk do të votojnë “pro”, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve të grupit të pavarur të deputetëve të kryesuar nga ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Mileska u deklaruan se nuk do të votojnë.

Gruevski deri më datën 8 të këtij muaji duhet të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin. Të premten, Gjykata Penale kumtoi se gjykatësi për kryerjen e sanksioneve e ka marrë lutjen e Gruevskit për shtyrjen e dënimit.

Ish-kryeministri Gruevski u shpall fajtor dhe u dënua në dy vjet burg më 23 maj. Ai së bashku me të akuzuarin e parë në lëndën “Tank”, Gjoko Popovski parashtruan ankesë deri tek Gjykata e Apelit Shkup, e cila e refuzoi si ankesë të pabazë të Gruevskit, ndërsa pjesërisht e pranoi ankesën e Popovskit dhe ia zvogëloi dënimin me burg në katër vjet e gjashtë muaj. Në lëndën “Tank” është e dënuar edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska në gjashtë vjet burg.