Hekuran Murati

​Komisioni miraton Projektligjin që lufton evazionin fiskal

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjit për administrimin e procedurave tatimore. Në mbledhjen e sotme, deputetët, aprovuan kërkesën e Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK) për ndarjen e mjeteve buxhetore mbi dy milionë euro për periudhën tetor-dhjetor 2023, ndërkaq shqyrtuan edhe raportit vjetor financiar të  Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2022.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke arsyetuar projektligjin tha se Kosova ka nevojë për administrimin e procedurave tatimore.

“Ideja ka qenë që të kemi një ligj që rregullon procedurat dhe administrimin e procedurave tatimore. Njëjtë siç është bërë parime dhe praktika edhe me ligjet të tjera, ku rregullohet çështja dhe pastaj brenda për brenda çështjes dhe administrimit parashihet edhe vetë rregullimi i agjencisë përkatëse”, tha ai.

Të nevojshëm këtë projektligj e vlerësoi edhe anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, deputeti Mërgim Lushtaku.

Ai tha se përmes tij duhet të luftohet evazioni fiskal duke u harmonizuar edhe me ligje të tjera në fuqi.

Në lidhje me këtë, ministri Murati tregoi në detaje mekanizmat që janë të parapara në projektligj për të zvogëluar shmangien tatimore.

Krahas kësaj, komisioni shqyrtoi edhe raportin vjetor financiar të  Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2022.

Drejtoresha e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARrU), Hajrie Morina tha se borxhet ndaj institucionit që drejton janë rreth 300 mijë euro. Këto raste tha se janë dërguar në gjykatë, mirëpo disa prej tyre për shkak të vjetërsisë janë parashkruar.

Ajo, po ashtu, shtoi se kanë marrë masa ndëshkuese ndaj disa kompanive publike për shkak të faturimit në mënyrë fiktive, derisa njoftoi se kanë proceduar në gjykatë edhe kompaninë serbe që faturon në veri.

Komisioni vendosi që raportimi i ministrit të Financave Hekuran Murati lidhur me kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, si dhe raportimi i Agjencisë së Statistikave lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë të mbahet në mbledhjen e radhës./KP/