Ana Pisonero

Komisioni Evropian po ndjek nga afër rastin e ndalimit dhe keqtrajtimit të Sanduloviqit nga BIA serbe pasi vizitoi varrin e Adem Jasharit

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha se KE-ja po e ndjek nga afër rastin e paraburgimit dhe keqtrajtimit të pretenduar të politikanit serbe, Nikola Sanduloviqit, kryetar i Partisë Republikane.

“Ne kemi parë raporte për paraburgimin dhe keqtrajtimin e supozuar të z. Sanduloviq. Po e ndjekim nga afër këtë rast dhe jemi në kontakt me organet kompetente dhe palët e interesuara”, tha ajo, transmeton Ballkani.info.

Pisonero thotë se është e rëndësishme të kemi qartësi të plotë mbi faktet rreth këtij rasti.

“Ne presim që të respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshimin e arsyeshëm se është kryer vepër penale dhe të gjitha pretendimet e besueshme për dhunë duhet të ndiqen efektivisht nga autoritetet kompetente përkatëse”, përfundon zëdhënësja e KE-së.

Prokuroria më e lartë publike në Nish urdhëroi që Nikola Sanduloviq, kryetar Partisë Republikane të ndalohej me “dyshimin se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Ish-drejtori i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vulin, pretendoi se Sanduloviq u arrestua me urdhër të tij.

Më 2 janar, Sanduloviq postoi në rrjetin social X një video të vizitës së tij në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, ku vendosi kurorë lulesh pranë monumentit ku në mars të vitit 1998 u vranë 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, ka njoftuar se më pas Sanduloviq është arrestuar nga anëtarë të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), të cilët, siç pretendon ai, “e kanë rrahur dhe kanë ushtruar dhunë brutale”. Stojkoviq në rrjetin social X ka shkruar se të enjten me rastin e arrestimit të Sanduloviqit për këtë arsye është dërguar në Akademinë Mjekësore Ushtarake (MMA), ku është mbajtur deri në pasdite pa i njoftuar familjarët apo avokatët.

Për këtë rast kanë folur disa politikanë shqiptarë nga Kosova, si dhe deputetja britanike Alicia Kearns. /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Serbia vazhdon me veprim të njëanshme duke kërcënuar paqen në rajon