Komentuesit e “grijnë” Kurtin në statusin për vrasjen në QKUK: “Mos shkruani poezi”, “leni vajtimet”

Vrasja e gruas shtatzënë të mërkurën mbrëma në oborrin e QKUK-së, në Prishtinë, ka nxitur reagime masive në rrjetet sociale. Reagime patëm edhe nga udhëheqësit e vendit dhe zyrtarët me pozita të larta udhëheqëse. Reagimi më i kritikueshëm nga qytetarët del se është ai i kryeministrit, Albin Kurti, por jo vetëm.

Mijëra qytetarë kanë pushtuar statusin e kryeministrit, Albin Kurti, duke e kritikuar e fajësuar për atë se çfarë ka shkruar për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në QKUK.

“Dy engjëj në qiellin e pistë Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Qielli i pistë”, “Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë” dhe “Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte”, janë disa nga fjalët më problematike të thëna nga kryeministri Kurti e të kundërshtuar ashpër nga komentuesit e shumtë.

Qytetarët komentues i kanë thënë Kurti se nuk është poet dhe nuk duhet të merret me poezi pasi nuk është e rëndësishme se çfarë thotë armiku por “se nuk ka siguri me jetu”.

“Me poezi erdhet ne pushtet, me poezi po vazhdoni te mbeteni ne pushtet. Fjale shume e pune pak.Presidentja qe po synon te behet manekene, e la shtetin pa kryeprokuror, e ti nuk je ne gjendje ta caktosh ministrin e shendetsise qe 2 muaj, cka i thojne kesaj pos degradim total, pa aftesi totale, per ta udheheqe shtetin. Edhe me kete postim je munduar te fitosh poena politik. Çka ka lidhje qe eshte viktima shqiptare? Çka ka lidhje cka thot armiku? Me rendesi eshte se nuk ka siguri me jetu, pikerisht nga paaftesia juaj per te qeverisur. Bile mos shkruani poezi!”, ka komentuar një qytetar.

Disa kanë kërkuar nga Kurti që të marrë masa dhe mos të fajësojë edhe kësaj radhe qeveritë e kaluara.

“Bravo 5 e ke ne hartim! Tash a e ke ndermend me marre ndonje mase, apo fajin don me ja lon qeverive te kaluara?”

“Eshte vertet shkrim i habitshem, ku mungon qarte reflektimi kritik dhe empathie. Ajo qe tejshkon skajet e habise, eshte se si gati 24 mije veta reagojne per kete shkrim ku ka me shume tonalitet nacionalizmi se sa dhimbshuri reale per humbjen e dy jeteve si dhe mungese pergjegjesie si kryeminister vendi!”

“Kryeminster, a kuptoni ju dicka me shume se populizmi dhe nacionslizmi ekstrem?!”, janë disa nga komentet e shumta.

Në anën tjeter edhe opozita e disa analistë kanë kritikuar kryeministrin Kurti për shkrimin e tij.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar që Kurti ta fshijë shkrimin e tij dhe të kërkojë falje, shkruan Nacionale.

“Kryeministër, fshije këtë status dhe kërko falje. “Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte.” “…dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërkohë, analisti i politikës, Ilir Mirena, ka thënë se po shqetësohet me gjendjen e kryeministrit Kurti dhe ka kërkuar që t’i redaktohen shkrimet.

“Per krimin e tmerrshem qe ndodhi sonte mbi gruan shtatzene ne Prishtine, ky eshte dedikimi qe e shkroi Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti. Eshte mire me fillu dikush me ia kontrollu dhe redaktu Kurtit profilin dhe postimet e tij ne facebook. Ka fillu me m’shqetesu gjendja e tij…”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa për analistin Afrim Haliti, kryeministri Kurti ka mentalitet patriarkal.

““Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte” – shkruan Albin Kurti. Dhe ky është mentaliteti patriarkal që e ka sjellë këtë shoqëri këtu në këtë gjendje të mjerueshme. Femra duhet të jetë në gjendje të mbrohet vet i dashuri kryeministër.”, ka shkruar Haliti në Facebook.

Edhe aktivistja për të drejtat e grave, Eurisa Rukovci, ka reaguar shkrimeve të Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.

“Kryeministri paska shkru qe “burri duhej ta mbronte gruan”. Ne fakt, ky mentalitet qe e sheh burrin si dominant, superior e protektor prodhon realitete te tilla te shemtuara ku burrat i japin vetes te drejta mbi trupat dhe jetet e grave.”, ka shkruar ajo ndër të tjera në Facebook.

Një grua rreth moshës 35 vjeçare u vra të mërkurën mbrëma në oborrin e QKUK-së. Ajo ishte shtatzënë dhe i dyshuari për vrasjen e saj është ish-bashkëshorti që raportohet se aktualisht është në arrati.

Viktima raportohet se ishte cak i dhunës të vazhdueshme nga ish-burri i saj.

Në media u raportuar se ajo kishte urdhërmbrojtës nga gjykata për shkak të dhunës së vazhdueshme nga ish-burri.

Familjarët e saj i thanë Nacionales se martesa mes tyre kishte zgjatur 3-4 muaj.

“Martesa ka qenë e shkurtë. Krejt 3-4 muaj kanë qenë të martuar. Janë ndarë për shkak të dhunës. Janë ndarë me shtet, me polici.”, ka thënë njëri prej familjarëve.

Deri më tani kjo vrasje është dënuar nga të gjithë, por askush nga personat përgjegjës nuk ka dhënë dorëheqje.