Komandanti i KFOR-it ofron mbështetje në angazhimin kundër dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici dhe asistentin ushtarak, Oficerin Ekzekutiv, Kolonel Leitnant Enrico Calise.

Siç bëhet e ditur përmes njoftimit dërguar mediave, Haxhiu e ka njoftuar për së afërmi Federicin se ka filluar procesi i skanimit të situatës në Ministrisë e Drejtësisë, njëherazi e ka informuar edhe për prioritetet që ka kjo ministri.

“Rishikimi funksional, procesi i vettingut, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe trajtimi i krimeve të luftës do të jenë fokus parësor krahas edhe angazhimit kundër dhunës në familje dhe krijimit të mekanizmave të tilla”, thuhet në njoftim.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Federici, njoftohet se ka shprehur mbështetjen e pa kursyer për brenda kapaciteteve dhe kompetencave që kanë, duke shprehë interesim për bashkëpunim veçanërisht kundrejt dhunës në familje. Gjithashtu thuhet se ka diskutuar mbi rëndësinë e kthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi dhe për transparencë të institucioneve.

“Të dy palët ndanë qëndrime të përafërta duke diskutuar po ashtu edhe për angazhimin në menaxhimit të situatës me pandeminë COVID-19, mbi rëndësinë e vaksinimit të qytetarëve dhe gjetjeve të rrugëve e mundësive për t’u pajisur me vaksinat e duhura. Në fund të takimit palët u zotuan për më shumë bashkëpunim edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim.