Komandanti i KFOR-it në Kosovë që “ndaloi” nisjen e Luftës së Tretë Botërore, s’e përjashton që kjo mund të ndodhë tani

Komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Sir Michael David Jackson, ka thënë se situata është shumë delikate me luftën Rusi-Ukrainë dhe se nuk mund të përjashtohet fillimi i Luftës së Tretë Botërore.

Sir Michael David Jackson në një intervistë me gazetarin britanik, Alastair Stewart ka rikujtuar momentin kur i kishte thënë gjeneralit Wesley Clark se “nuk do ta fillojë Luftën e Tretë Botërore në Kosovë”, përcjell Demokracia.com.

Krejt kjo kishte ndodhur pas avancimit të rusëve në aeroportin e Prishtinës, derisa Sir Michael David Jackson ishte i bindur se nuk duhej të shkaktohej një përplasje me rusët.

Por me nisjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë nuk përjashton se mund të fillojë Lufta e Tretë Botërore.

“Nuk mund ta përjashtoj, është shumë e vështirë ta them, por sinqerisht, nuk mund të përjashtohet. Situata është shumë delikate”, ka thënë ai.

Gjenerali shton se bota nuk mund ta përballojë një luftë tjetër ku do të përdoren armët bërthamore, derisa ka theksuar se lufta merr fund nëse Putin e pranon që nuk mund t’i arrijë qëllimet e tij, përcjell Demokracia.com.

“Ne nuk kemi parë, faleminderit Zot, përdorimin e armëve bërthamore që nga viti 1945, ne kemi mbijetuar aq shumë pa përdorim të tyre. Unë sinqerisht, nuk kam vetëbesimin të them që ne mund ta përballojmë këtë. Unë mendoj se mënyra e vetme që të marrë fund kjo luftë, është që Putin të pranojë se qëllimet e tij janë të paarritshme”, ka thënë ai.

Sir Michael David Jackson kishte shërbyer si komandant i KFOR-it gjatë luftës në Kosovë.

Vizita e fundit e tij në Prishtinë ka qenë në vitin 2016 ku ishte pritur në vizitë nga presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Ky i fundit, e kishte dekoruar gjeneralin britanik me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, derisa kishte thënë se roli i tij ka qenë i pazëvendësueshëm dhe i jashtëzakonshëm.