Komandant Remi me kritika ndaj ish- partisë: PDK, Origjina dhe hijenat

Ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka filluar me kritika ndaj ish- partisë së tij, shkruan Ballkani.info.

Përmes një shkrimi të titulluar “PDK-Origjina dhe hijenat”, Mustafa ka thënë se PDK është themeluar nga njerëz me kredenciale të larta morale e kombëtare, por me kalimin e kohës është akomoduar edhe me oportunistë e njerëz të afërt me ish- pushtetin e para vitit 1999.

Mustafa thotë se njerëz të atillë nuk i duhen PDK-së  dhe është koha të largohen.

Postimi i plotë:

PDK-Origjina dhe hijenat…

PDK është parti e themeluar nga njerëz që kanë demonstruar kredenciale të larta morale e kombëtare në kohët e arritjeve të mëdha kombëtare. Me kalimin e viteve, ajo ka akomoduar edhe oportunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me ish pushtetin e para vitit 1999. Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (Doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh)në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individë brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së.

Të tillët nuk i duhen gjë PDK-së dhe ata, është koha të largohen nga ky diskurs krejtësisht cinik.

Ka një kohë që e kam pushuar aktivitetin tim në strukturat e PDK-së, por nuk mund të rrija neutral e të mos reagoj ndaj personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së.

Kjo nuk duhet të tolerohet nga PDK.

Është e tepërt.