Një nga postimet më emocionale të ditës ka ardhur nga Arif Ahmetxhekaj, i cili përmes një mesazhi të gjatë dhe prekës ka shprehur respektin, mirënjohjen dhe besnikërinë e tij ndaj Ramush Haradinaj.

Në një rrëfim të mbushur me emocione dhe kujtime nga lufta e deri te rrugëtimi politik, Ahmetxhekaj kujton momentin kur, ende pa i mbushur 17 vjet, iu bashkua luftës çlirimtare nën udhëheqjen e Haradinajt.

Ai shkruan se për afro 28 vite ka qenë pjesë e rrugëtimit të liderit të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fillimisht në luftë e më pas në proceset politike dhe shtetformuese të Kosovës.

“Kam parë nga afër peshën që mbajte mbi supe për këtë vend dhe çmimin që pagove për të mos u përkulur kurrë”, shprehet Ahmetxhekaj në postimin e tij, duke kujtuar edhe periudhat kur Haradinaj mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Në një nga pjesët më prekëse të mesazhit, ai thekson se shërbimi pranë Haradinajt nuk ka qenë vetëm detyrë, por “nderi më i madh i jetës”.

“Do të jem gjithmonë pranë Teje, sepse të jesh në shërbim të një udhëheqësi si Ti është privilegj, krenari dhe vlerë që nuk matet me asgjë”, ka shkruar Ahmetxhekaj.

Postimi i tij ka ngjallur reagime dhe emocione të shumta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar si një dëshmi të rrallë besnikërie, respekti dhe lidhjeje të fortë mes bashkëluftëtarëve të luftës çlirimtare.