Kolona të gjatë në Jarinjë| BIA serbe interviston mërgimtarët që po vijnë në Kosovë (Foto)

Pas tensioneve në veriun e vendit, në pikën kufitare në Jarinjë, mërgimtarët kosovarë që po kthehen në vendlindje po kanë kontrolle të rrepta.

Përpos mërgimtarëve që po hyjnë në Kosovë, kontrolle të rrepta po kanë edhe kosovarët që po kalojnë kufirin për në Serbi.

Nga burime brenda Policisë së Kosovës, Demokracia.com ka mësuar se gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, pala serbe po i ndalon kohë pas kohe kosovarët, duke i marrë në pyetje me lloj-lloj provokimesh.

“Kontrolle ka pasur edhe dje, por dikur gjatë ditës u ndalën. Ndërsa, sot pjesëtarë të BIA-s (shërbimi informativ serb) kanë ardhur në pikat kufitare dhe po i intervistojnë kosovarët me nga 2 orë, duke krijuar edhe shqetësime e pasiguri tek ata”, ka thënë një pjesëtar i policisë kufitare për Demokracia.com.

Gjatë së dielës së 31 korrikut, në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ka pasur tensione për shkak të vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Nga ana e serbëve ishin vendosur barrikadat në afërsi të këtyre dy pikave.

Pas pezullimit për 30 ditë nga ana e Qeverisë së Kosovës të kësaj mase, sot janë larguar barrikadat dhe po raportohet situatë më e qetë.

Kosova dhe Serbia kanë gjashtë pika kufitare: Bërnjakun, Jarinjën, Merdaren, Mutivodën, Dheun e Bardhë dhe Muçibabën./Demokracia.com/