Kollçaku thotë se do të ndryshohet Ligji për sëmundjet ngjitëse: Reformat në shëndetësi të nevojshme

Reformat në shëndetësi janë të mese nevojshme për stabilizimin e gjendjes në këtë sektor, thotë kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku.

Kollçaku tha se monitorimi i zbatimit të Ligjit për pandemi, si dhe plotësim-ndryshimet e ligjeve në shëndetësi, do të jenë prioritetet fillestare të Komisionit që ajo udhëheq.

“Është e qartë që një ndër prioritet kryesore i Qeverisë është luftimi i pandemisë. Ky është problem global por ne si vend do ta kemi epiqendër përveç çështjeve tjera sepse kemi nevojë për reformë në shëndetësi kemi nevojë për plotësim ndryshimin e shumë ligjeve një ndër to është edhe Ligji për sëmundje ngjitëse”, u shpreh Fatmire Kollçaku.

“Po ashtu do ta monitorojmë edhe zbatimin e ligjit për Covid sepse si Kuvend e kemi për detyrë monitorimin e qeverisë. Qeveria ka marrë disa masa kufizuese që nuk janë aq drastike që kanë karakter edukues ku pas lirimit të masave të kemi bashkëpunim me te gjithë sektorët. Detyra e Qeverisë është sigurimi i vaksinës dhe në këtë drejtim po punohet sepse është prioritet”, shtoi ajo për EO.

Tutje, Kollçaku tha se së shpejti pritet të vijë edhe kontingjenti i dytë me vaksina kundër virusit Covid-19.

“Tani ka filluar vaksinimi dhe jam në dijeni që janë duke u zhvilluar bisedimet që shumë shpejt do të vijnë edhe sasi të tjerave më të mëdha të vaksinave. Ne nuk kemi numër të mjaftueshëm të inspektorëve dhe nuk duhet t’i presim ata se si të sillemi. Ne duhet të fillojmë sillemi përgjegjshëm dhe në krye të tij të jetë Qeveria”.

Ajo tha se Qeveria është e angazhuar maksimalisht që Kosova të ketë në fokus luftimin e Coronavirusit.

“Mendoj që Qeveria është në nivel të detyrës që ka. Kemi një trend zvogëlimi por sa është efekti i tyre shihet ditët në vijim. Nëse vendosen që masat të largohen të kemi bashkëpunim. Duhet të fuqizohet edhe inspektorati sanitar dhe shëndetësor në kryerjen e detyrave dhe të merren fushata edukuese sepse ende jemi shtet i varfër dhe do të angazhohemi të vaksinojmë një numër të madh të qytetarëve në vendin tonë”.