Agim Çeku

Koha kur ishte kryeministër, Çeku tregon çka i kishte thënë Ahtisari

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka treguar në emisionin “Majtas jo Djathtas” të T7 se çfarë i kishte thënë Martti Ahtisaari për propozimin e pavarësisë së Kosovës, si dhe për FSK-në që parashihej të formohej pas pavarësisë.

Ai ka thënë se Pako e Ahtisarit ka qenë një lloj kompromisi, madje vetë Ahtisari thotë t’iu ketë thënë se duhet ta bëjë propozimin të asaj forme që të pranohet edhe nga serbët si dhe prej kundërshtarëve të Kosovës në Këshillin e Sigurimit.

Këtë deklaratë Çeku e dha teksa fliste për Forcën e Kosovës që sot shënoi ditën e saj. Ai ka deklaruar se pas pavarësisë normalisht parashihej formimi i kësaj force.

”Atë ditë që është pavarësuar Kosova është nënkuptuar që do ta ketë ushtrinë e vet. Por edhe në bisedime krejt pako e Ahtisarit ka qenë njëfarë kompromisi, çdo dispozitë e asaj pako sepse Ahtisari na ka thënë në fillim, edhe mua si kryeministër, nuk ka dilema që Kosova do të jetë shtet i pavarur, por propozimi duhet të jetë asisoji që e bën të pranueshëm këtë propozim timin edhe për Serbiën, edhe për serbët, por edhe për kundërshtarët e Kosovës që janë në Këshill të Sigurimit, Rusia, Kina”, ka thënë ai.