Koha kur Gërvalla thoshte se Kurti ka ideologji komuniste dhe kërkonte largimin e tij nga VV

Një lum reagimesh në drejtim të kryediplomates Donika Gërvalla në lidhje me deklaratat e saj për UÇK-në, bëri që të reagojë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti. Ky i fundit i doli në mbrojtje asaj duke thënë se kjo siç e quan ai “fushatë” vjen pas takimeve që ai i cilëson të suksesshme në Bruksel.

Mirëpo jo aq e kujdesshme ishte treguar Gërvalla në një intervistë të vitit 2014,  ku ishte shprehur me një diskurs jashtëzakonisht të ashpër karshi Kurtit.

Atëbotë, Gërvalla thoshte se Kurti ia kujton asaj një kohë jo të lavdishme për shqiptarët, periudhën e komunizmit.

Madje thoshte se në VV duhet të ndodhin ndryshime dhe se Kurti duhet të largohet nga kreu i VV-së, pasi që ka një ideologji të cilës sipas saj i ka kaluar koha.

“VV ashtu sic e ka edhe emrin Lëvizje përbëhet nga rryma të ndryshme. Kur flas për të dhe ideologjinë,  në rradhë të parë flas për liderin e VV-së, zotin  Albin Kurti. VV siç tregoi në rastin e Shpend Ahmetit ka nevojë për emra të rinj, lëvizje të reja. Kurti është i ri në moshë por është një ideolog i vjetër. Ideologjisë të cilën ai e përfaqëson i ka kaluar koha. Ideologji e një mendësisë që unë e shoh shumë qartë në atë çfarë flet dhe në formën se si ai shtjellon tema të ndryshme”, kishte thënë Gërvalla.

“Unë jam rritur në Shqipëri dhe jam organikisht e ndjeshme kur shoh në sjelljen dhe gjuhën e dikujt elemente të cilat na i kanë mësuar në shkollë në Shqipëri të një ideologjie që i ka kushtuar  shumë shqiptarëve. Unë  e lidh me kohën e regjimit komunist, dhe gjuha e tij mua më kujton kohën e regjimit komunist, gjuha që ai përdor”, kishte thënë Gërvalla në këtë intervistë të vitit 2014. 

Për më shumë, ndiqeni videon nga 00:22 deri më 1:50.