ZGJIDHJA

Koço Kokëdhima: Zgjedhjet duhen shpëtuar nga mafia e partive

Reagimi i kryetarit të partisë ZGJIDHJA pas publikimit të përgjimeve të prokurorisë

Bisedat e përgjuara ku flitet për blerje votash në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 nuk duhet të habisin askënd.

Edhe pa to është vërtetuar katërcipërisht se çdo palë zgjedhje blihen, vidhen dhe deformohen. Kjo ka ndodhur kudo, jo vetëm në Lezhë, apo në Durrës, vende ku janë përgjuar bisedat e të akuzuarve nga prokuroria. Kjo ndodhi mu në mes të Tiranës, ku mjaftoi një rinumërim i 60 kutive për të kuptuar se 90 për qind e tyre ishin manipuluar e vjedhur nga PS dhe PD.

Shqiptarët e vuajnë mbi kurriz këtë hajdutëri prej 26 vitesh. Ndërkombëtarët kanë qenë dëshmitarë, por i kanë noterizuar këto turpe elektorale, duke vlerësuar pozitivisht krimet elektorale, që në një vend demokratik do të kishin mjaftuar për revolta popullore dhe përmbysje qeverish.

ZGJIDHJA është në krye të betejës për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ajo kërkon me forcë të mos lejohet më tutje që reforma zgjedhore të jetë një farsë. PS dhe PD nuk duhen lejuar të kontrollojnë procesin zgjedhor. KQZ-ja të depolitizohet, administrata zgjedhore të pastrohet nga kriminelët dhe militantët e PS-PD-së që vjedhin dhe trafikojnë votat e shqiptarëve.

Ky është “gongu” i fundit për demokracinë në Shqipëri. OSBE dhe vendet partnere nuk mund të bëjnë më sehir, ndërsa elita e vjetër politike po përgatitet t’i japë goditjen përfundimtare shpresës së fundit për pastrimin dhe demokratizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Nëse edhe këtë radhë do të fitojë mafia e partive për të përjetësuar pushtetin e marrë përmes vjedhjes, trafikimit, intimidimit dhe dhunimit të zgjedhjeve, atëhere Shqipërinë e pret destabilizimi, kolapsi, lufta dhe gjakderdhja.

#ZgjidhjaPerDemokracine