Koci: Për një kohë të shkurtër mund të ngrihen aktakuzat e para nga Specialja, edhe Thaçi mund të ftohet

Avokati Arianit Koci, duke folur për punën e Gjykatës Speciale ka thënë se për një kohë shumë të shkurt mund të ngritën aktakuzat e para.

Sipas tij, aktakuzë nuk do t’iu ngritët të gjithë personave të cilët janë ftuar si të dyshuar. Ai në Interaktiv të KTV-së ka shtuar se ka të tillë të cilëve do të iu pushojnë hetimet.

“Proceduralisht kur ftohet i dyshuari konsiderohet se procedura hetimore është në fund. Disa procedura kanë përfunduar më herët. Marrja në pyetje dhe hetimet e prokurorisë mund të vazhdojë më tutje edhe pas ngritjes se aktakuzat”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se çdo ushtar i UÇK-së mund të ftohet përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi.

Koci ka treguar se intervistimi zhvillohet në gjuhë shqipe dhe angleze, ndërkaq të ftuarit gjithmonë përgjigjen shqip.

Lidhur me deklaratat e disa personave të ftuar nga Specialja se janë ftuar në cilësinë e “dëshmitarit të dyshuar”, ai ka thënë se ky është një keqkuptim dhe asnjëherë nuk ka parë një ftesë të tillë.

“Ftesat që unë i kam parë, qartazi përcaktohet se a janë dëshmitarë a janë të dyshuar. Ka ftesa edhe në anglisht edhe në shqip. Kam pasur vërejtje në ftesa të cilat nuk ka pasur elemente për veprat që të ftuarit kanë kryer. I dyshuari duhet të i përgjigjet Gjykatës ose mund të heshtë apo ndryshe të mbrohet në heshtje”, ka thënë ai.

Sipas Kocit, gjithmonë kur prokurori e fton të dyshuarin e ka pistën e dyshimit, ndërkaq sipas tij, i dyshuari ka mundësi t’i kundërshtoj akuzat.

Ai thotë se mënyra se si dorëzohet ftesa nga Gjykata Speciale është krejtësisht e rregullt.

“Më ka ndodhur rasti kur hetuesi e ka thirrur klientin, i ka thënë a do t’ua sjellë juve a po ta kontaktojë avokatin. Më ka thirr hetuesi dhe është prezantuar në mënyrë korrekte”, ka thënë ai

Ai thotë se ftesa nuk i jepet një personi të tretë përveç të thirrurit apo avokatit. Koci ka thënë se ka dy lloj të të dyshuarve, ata që duan ta bëjnë publik emrin dhe ata që nuk duan.

Ai thotë se mbron persona të cilët nuk duan ta publikojnë emrin.

“E shohë një tendencë që komandantët e tregojnë që janë ftuar ndërkaq këta të cilësisë më të ulët nuk preferojnë ta tregojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, procesi i intervisitimit është profesional deri sa ka treguar se dëshmia e të ftuarit xhirohet.

“Para kësaj here e kishim një përplasje profesionale me prokuroren dhe ata i pranojnë kritikat. Prokuroria po i kryen detyrat që ja ka dhënë parlamenti jonë”, ka thënë ai duke shtuar se prokuroria po i heton pretendimet e raportit të Dick Marty-t.

Koci thotë se që nga fillimi ka qenë kundër kësaj gjykatë, duke shtuar se disa nga deputetët nuk e kanë ditur as çka kanë votuar.