Koalicioni Vakat pas takimit me Kurtin dhe Osmanin: Kërkesa jonë ishte krijimi i komunave boshnjake

Pas takimit me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat”, tha se kërkesa e tyre e parë ishte krijimi i komunave boshnjake..

“Kërkesa për krijimin e komunave boshnjake është akoma dhe nuk është diçka e re. Kjo është kërkesa e parë, por nuk është kusht”, tha ai.

Demiri tha se në takim nuk kanë biseduar për ndarjen e pozitave në Qeverinë e re.

“Sot kemi pasur një takim me kryeministrin e ardhshëm Kurti dhe u.d. së presidentes Osmani. Falënderojmë Osmanin për interesimin e saj për komunitetin boshnjak. “Vakat” gjithmonë ka qenë për formimin e institucioneve. Besojmë që edhe tashti do të bëjmë njësoj. Nuk kemi diskutuar diçka konkrete për pozita. Por kemi pasur disa kërkesa dhe kemi lënë edhe një takim me kryeministrin që të marrim disa vendime”, tha Demiri.

“Nuk kemi folur për vota, por programin për komunitetin që edhe vetë Kurti është i interesuar. Javën e ardhshme po presim tri votime të rëndësishme. Ne kemi edhe një takim më kryeministrin dhe për një ose dy ditë do të merret vesh se çfarë do bëjmë”, shtoi ai.