VMRO-DPMNE-ja

Koalicioni opozitar në Maqedoni mbetet vetëm me 39 deputetë

Numri i deputetëve që janë larguar nga koalicioni opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka shkuar në 12, e tashmë nga 51 deputetë sa kishte ka mbetur me 39.

Fillimisht nga partia u përjashtuan 8 deputetët, të cilët mbështetën ndryshimet kushtetuese, por të pakënaqur me këtë vendim, si dhe me qasjen e partisë ndaj procesit për marrëveshjen me Greqinë janë larguar edhe 4 të tjerë.

Nga VMRO-ja kanë akuzuar për këtë partitë në pushtet, me pretendimin se “me kërcënime e shantazhe të ulëta kanë marrë mbështetjen për marrëveshjen kapitulluese”.

Por, deputetët e përjashtuar dhe ata të larguar kanë denoncuar kërcënime të ndryshme, që sipas tyre kanë ardhur nga struktura të ndryshme. Disa prej tyre tashmë po ruhen nga policia, ndërsa kanë nisur edhe procedura gjyqësore, gjë që konfirmohet edhe nga ministrja e Drejtësisë, Renata Dskoska.

Për zhvillimet në VMRO, disa nga ish-anëtarët e saj akuzojnë kreun e partisë, Hristijan Mickovski, se interesat shtetërore i ka vendosur mbi ato partiake, ndërsa kërkojnë mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm.

VMRO-DPMNE-ja ka qeverisur në 10 vitet e fundit Maqedoninë, me në krye Nikola Gruevskin, i cili tani po gjykohet në disa procese gjyqësore për shpërdorim të detyrës zyrtare. Procese po zhvillohen edhe ndaj personaliteteve të tjera të larta të kësaj partie, e cila kundërshton fuqishëm marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes 27-vjeçare për emrin e shtetit.