KMDLNJ

KMDLNJ: Qytetarët të mos paguajnë për teste në laboratorët privatë, është përgjegjësi e shtetit

Këshilli për Mbrojtje të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë për t’u testuar për COVID-19 dhe se kjo duhet të jetë përgjegjësi e shtetit.

Ministria e Shëndetësisë ka filluar t’i licencojë laboratorët privatë për kryerje të testimeve Sars-COV2. Deri më tash janë licencuar 46 laboratorë, 44 prej tyre për kryerje të testimeve serologjike e dy për testime PCR.

“Është rritur kapaciteti për testim, sidomos me licencimin e laboratorëve privatë e që KMDLNj, në mungesë të transparencës, nuk i ka të qarta kriteret në bazë të cilave është dhënë licenca. Rritjen e kapaciteteve për testim, KMDLNj e sheh si të domosdoshme dhe pozitive për qytetarët e Kosovës. Mirëpo kërkon një mbikëqyrje serioze, ndryshe ekziston rreziku real për një korrupsion pandemik. KMDLNj kundërshton çmimet e caktuara si të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës aq më parë që kemi thellim të krizës ekonomike me ç’rast një numër i madh varet nga asistenca sociale dhe nga pakoja emergjente. Krijimi i kushteve për testim në raste kur dyshohet për infektim me COVID-19, është përgjegjësi e shtetit përjashtuar rastet kur të testuarit e bëjnë testin për qëllime turistike, të bërit biznes e që nuk kanë asnjë problem të natyrës financiare. Subvencionimi i shtetit prej 18 % siç ka deklaruar ministri Zemaj, nëse bëhet në mënyrë lineare për KMDLNj është e papranueshme, diskriminim flagrant, mosdashje për luftim të pandemisë dhe varfërim të popullatës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Në këtë reagim KMDLNJ ka propozuar që kategoritë sociale, ata që kanë mbetur pa punë të lirohen nga çdo pagesë, ndërsa ata që kanë të ardhura të rregullta sipas tyre duhet të participojnë jo më shumë se 30 për qind.

“KMDLNj propozon që kategoritë sociale, grupet e margjinalizuara, ata që kanë mbetur pa punë dhe të gjithë të tjerët që nuk kanë mundësi të paguajnë, duhet të lirohen nga çdo pagesë kurse ata që kanë të ardhura të rregullta duhet të participojnë jo më shumë se 30 %. KMDLNj kërkon të krijohet një ekip monitorues që do të përcjellë punën e laboratoreve private dikur edhe listat e atyre që u bëhet testi në institucionet publike për t’u eliminuar çdo diskriminim e që nuk është bërë deri më tani aq më parë që kemi pasur diskriminim flagrant ku testet janë bërë prioritet në bazë të statusit në shoqëri e jo për shkak të nevojave për parandalim dhe luftim të pandemisë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.