Klubi sllovak liron treshen serbe nga paraqitja kundër Feronikelit, kishin kërkesë nga qeveria serbe

Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, të mërkurën në Bratislavë, pritet të përballet me një rival me shumë më shumë cilësi në kuadër të Evropa Ligës, por edhe me një atmosferë që deri më tash nuk e ka përjetuar – armiqësore dhe proserbe.

Kështu të paktën kanë paralajmëruar tifozët e Slovan Bratislavës, të njohur edhe më herët si proserbë.

Në këtë klub madje luajnë edhe dy lojtarë serbë, por edhe një nga stafi i trajnerëve është po ashtu serb.

Qeveria serbe i kishte dërguar një kërkesë zyrtare klubit sllovak që të mos e angazhojë treshen në ndeshjen kundër Feronikelit, për shkak të qëndrimit të saj ndaj shtetit të Kosovës.

E këtë kërkesë, klubi sllovak e ka pranuar, dhe ka vendosur që treshja serbe të mos paraqitet në asnjërën përballje me kampionin e Kosovës, raporton Koha.net.

Klubi sllovak ka thënë se ky vendim nuk është aspak i këndshëm për asnjërën nga palët e përfshira, por se është fakt dhe ka kërkuar mirëkuptimin e tifozëve.

“Lojtarët Aleksandar Çavriç dhe Dejan Drazhiq dhe trajneri Vladimir Radenkoviq kanë respektuar kërkesën e qeverisë serbe në lidhje me ndeshjet me KF Feronikelin. ShK Slovan respekton vendimin e lojtarëve dhe të trajnerit, dhe kështu Çavriçi, Drazhiqi dhe Radenkoviqi nuk do të luajnë në dy ndeshjet kundër Feronikelit”.

“Ne kërkojmë nga fansat të respektojnë këtë fakt dhe të kuptojnë vendimin e lojtarëve, të trajnerit dhe të klubit. Për asnjë nga ne, as nga lojtarët serbë dhe nga trajneri, kjo nuk është situatë e këndshme, por duhet ta respektojmë si fakt”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubin Slovan Bratislava.

Mediat serbe, të hënën, kanë shkruar për këtë ndeshje dhe sipas tyre, tifozët sllovakë kanë thënë se do të bëjnë Feronikelin “të ndihet sikur po luan në Serbi”, kur të paraqitet në stadiumin “New Slovakia” me kapacitet prej 22.500 ulëseve për ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

loading…