Klubi i njohur turk e do Mërgim Berishën

Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fanellën e Salzburgut, ndërsa interesim për të ka shfaqur klubi turk, Trabzonspor

Paraqitjet solide të këtij sezoni kanë bërë që Mërgim Berisha të fillojë të bëhet objektiv i klubeve evropiane.

Në fakt, ylli i ri kosovar po shkëlqen në fanellën e Red Bull Salzburgut, me të cilin i ka realizuar 7 gola në 10 ndeshje këtë sezon.

Ai madje ishte protagonist i ekipit austriak edhe në Ligën e Kampionëve, duke i shënuar gol edhe kampionit aktual evropian, Bayern Munich.

Tash, mediat turke shkruajnë se interesim për 22 vjeçarin ka shfaqur Trabzonspori.

Klubi turk synon ta transferojë sulmuesin e rrezikshëm qysh në afatin kalimtar të janarit.

Mbetet të shihet nëse Berisha do të jetë i gatshëm për ta vazhduar karrierën në Superligën turke.

Ndërkohë, spekulohet se gjatë verës ai mund të përfundojë në Bundesligën gjermane.

Sa i përket ekipit kombëtar, Berisha nuk ka vendosur ende, derisa ai i ka në opsion Gjermaninë, Kosovën dhe Austrinë.

Aktualisht, ai është pjesë e Kombëtares U-21 të Gjermanisë.