Klopp parashikon të ardhme të ndritur për Origin

Sulmuesi belg, Divock Origi i dhuroi Liverpoolit 3 pikët në derbin e “Merseyside” ndaj Evertonit, me golin e shënuar në minutën e 96-të, ndërsa trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp beson se 23 vjeçari mund të rikthehet të shkëlqejë pas problemeve me lëndime.

Origi u inkuadrua në lojë në minutën e 84-të, ndërsa përfitoi nga një gabim i portierit të Evertonit, Jordan Pickford për të realizuar golin e tretë të tij ndaj rivalëve të qytetit.

Ish lojtari i Lille nuk ka arritur të jetë pjesë e formacionit startues te Liverpooli prej lëndimit që e pësoi në një tjetër ndeshje kundër Evertonit, në prill të vitit 2016, por tashmë Klopp shpreson që me vetbesimin e golit të shënuar, Origi do të rikthehet ai i ditëve të vjetra.

“Nuk e kam harruar asnjëherë momentin e lëndimit të tij. Në atë periudhë Origi ishte i jashtëzakonshëm dhe dëmtimi i ndikoi në rritjen e tij si lojtar. Ai nuk ishte i gatshëm plotësisht për finalen e Europa Leagues në vitin 2016 dhe e humbi Kampionatin Europian në po atë vit. Shumë gjëra ndryshuan dhe ai nuk kishte vetbesim si më parë. Por tani, Origi mund të hapë një faqe të re në karrierën e tij”, tha Klopp.

Trajneri gjerman zbuloi se Mane ka pësuar një prerje në shputë, ndërsa refuzoi të fokusohet në ndeshjet e vështira që ofron muaji dhjetor, duke kthyer vëmendjen vetëm te ndeshja e rradhës ndaj Burnleyt.