Klodian Duro merr drejtimin e Gjilanit

Ish-reprezentuesi i Shqipërisë, Klodian Duro do të jetë trajner i skuadrës së Gjilanit për edicionin e ri. Duro, është zyrtarizuar të hënën nga Gjilani, ekip me të cilin ka firmosur kontratë njëvjeçare.

Në postin e trajnerit, Duro do ta zëvendësojë Zekirija Ramadanin, i cili u largua për të punuar në Arabinë Saudite. Duro, së fundmi ka punuar në Shqipëri, ku e ka drejtuar skuadrën e Lushnjës.

45-vjeçari po ashtu ka qenë edhe trajner në Kosovë, pasi ka udhëhequr për një periudhë edhe skuadrën e Feronikelit.

Ai karrierën si trajner e ka nisur në vitin 2015, ndërsa ka punuar edhe te Kukësi, Kamza e Luftëtari. Gjilani tashmë ka nisur përgatitjet për edicionin e ri, në të cilin do të paraqitet në garat e UEFA-s, ku do të marrë pjesë në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Në këtë rund, Gjilani do të përballet me ekipin nga Luksemburgu, Progres Niederkorn. Në rast se e kalon këtë ekip, atëherë në rundin e dytë kualifikues do të luajë kundër danezëve të Midtjyllandit.