Klinika në Shkup infektoi pacientë duke ua filtruar gjakun

Një spital në Shkup, emri i të cilit u bë i njohur në Kosovë, sidomos pas shfaqjes së Covid 19, ka trajtuar në mënyrë skandaloze pacientët që kanë shkuar për të kërkuar shërim. “Zhan Mitrev”, institucion privat i shëndetësisë i emëruar sipas kardiokirurgut që e drejton atë, rastet e pacientëve me Covid 19 i ka trajtuar me metodën e hemofiltrimit, që në shumë raste ka rezultuar fatale për ta. Shumë pacientë, pos çmimit të lartë, aty janë infektuar me disa lloje bakteresh, e në fund e kanë paguar edhe me jetë.

“Gjaku i papastër”, mu sikur romani i njohur i autorit boshnjak Mesha Selimoviq, është titulluar dokumentari i hulumtuar nga gazetarë investigues maqedonas, të mbledhur në Organizatën “Investigative Reporting Lab Macedonia”. Hulumtimi 60 minutash, që ka në fokus pandeminë që e shkatoi Covid 19 dhe spitalin “Zhan Mitrev”, ka nxjerrë të dhëna skandaloze rreth trajtimit të pacientëve në këtë spital. Aty është aplikuar metoda e hemofiltrimit, për të cilën “Zhan Mitrev” ka pasur disa lloje ofertash nga 3 mijë, 4 mijë apo 5 mijë euro. Në disa raste kjo metodë ka rezultuar fatale për pacientët të cilët, pasi kanë pastruar gjakun, janë infektuar me disa lloje të baktereve, e për pasojë edhe kanë vdekur.

Por, fillimisht, cila është historia e spitalit dhe kush është themeluesi i tij, kardiokirurgu Zhan Mitrev.

Spitali klinik “Zhan Mitrev” është themeluar më 1999 nga kardiokirurgu Zhan Mitrev, i shkolluar në Shkup e Zagreb dhe me stazh edhe në spitale në Gjermani (edhe pse hulumtimi nuk ka gjetur prova se Mitrev ka qenë yll i mjekësisë gjermane), në një hapësirë të marrë nga ish-Spitali Ushtarak i Shkupit, të cilin Mitrev e kishte rinovuar për t’ia nisur punës.

Asokohe, doktori Mitrev ishte kujdesur që të prezantohet si dikush që po kthehej ta ndihmojë shëndetësinë e Maqedonisë dhe duket se për këtë kishte arritur t’i bindë edhe krerët e shtetit. Për hyrjen e tij në tregun maqedonas, në këtë hulumtim ka folur edhe ish-kryeministri maqedonas Ljupço Georgievski, i cili tha se para se t’i jepet leja për të filluar punën, për Mitrevin është folur disa vjet më herët në mediat e Shkupit, ndërkohë që hulumtim i IRLM ka prezantuar pamje të ish-Presidentit Boris Trajkovski që kishte prerë shiritin në hapjen e këtij spitali, i cili atë kohë e ka mbajtur emrin Filipi i Dytë.

“Ne i siguruam diku 23 ose 24 milionë marka gjermane për aparatura mjekësore, që duheshin për ta bërë një shërbim të mirë kardiokirurgjik. Përvec që i siguruam pajisje, hapësirë, i siguruam edhe monopol të punës. Deri atëherë Maqedonia s’kishte kardiokirurgji dhe pacientët shkonin jashtë për shërim. Dhe kështu u kompletua klinika”.

Mitrev insiston se gjithçka që lidhet me klinikën është bërë nga puna e tij, por ish-Kryeministri Georgievski e demanton atë, duke thënë se Mitrev ia ka borxh një “falënderim të madh” Maqedonisë, për të gjitha ato që ia kishte dhënë.

Pas shumë viteve dhe propagandës së Mitrevit për veten dhe klinikën e tij, thekson hulumtimi, kur në Maqedoni dhe në tërë botën trokiti Covid-19, askush se kontestoi “brendin” e këtij shpitali,

Sipas Sashka Cvetkovskas, redaktore përgjegjëse e “Investigative Reporting Lab Macedonia, qytetarët shkuan në këtë klinikë sepse i “besuan Zhan Mitrevit dhe propagandës së tij se ky është një brend, për dallim prej institucioneve shëndetësore shtetërore të rëna përtokë”.

Cvetkovska shton se është e qartë se aty shërbimet janë më të shtrenjta, por rrëfimi ka qenë si ai është spital i vlerësuar me çmime botërore, ndërsa Mitrev një mjek i njohur me renome botërore, akademiku më i ri në vend, spitali i vetëm me çmime të Oksfordit etj.

Por, sipas saj një gjë është e qartë.

“Zhan Mitrev është spitali që ka përfituar më së shumti gjatë pandemisë”.

Hulumtimi nis me storien e një pacienti, të cilin familja e kishte dërguar për shërim në këtë spital, pas njoftimeve se kishte zbritje në çmime, por aty kishte nisur diçka krejt tjetër. Për IRLB ka rrëfyer Melita Brezeva.

“Pyeta se ku mund të drejtohem që bashkëshorti im të mos vdesë nga Covid-19. Aty filloi diçka tjetër. Paguam 12 mijë euro… Në këto 12 mijë euro përfshihej pakoja e Covid-19 dhe hemofiltrimi nëse ka nevojë”, thotë Brezeva.

Pikërisht këtu shfaqen telashet dhe komplikimet për bashkëshortin e Melita Brezevas.

Bashkëshortit të saj i dalin analiza të këqija dhe familjarëve nuk u thuhet e vërteta.

Brezeva thotë se i kishte pyetu mjekët nëse janë duke e trajtuar Covidin apo diçka tjetër, por ata nuk kishin dhënë përgjigje.

Mitrev personalisht i kishte bërë publicitet “shërimit” të Covid-19 nëpërmjet pastrimit të gjakut, duke insistuar se pajisjet ishin aprovuar nga FDA.

“Ka dy metoda të shërimit, hemofiltrimi dhe shërimi klasik. Shërimi klasik është katastrofal”, thoshte ai.

Madje ai në bisedën për IRLB ishte sfiduar nga gazetarja, e cila e kishte pyetur se ku ishte aplikuar kjo metodë, duke thënë “paj, kam parë në media” se në Berlin. Por gazetarët e kanë ballafaquar këtë pohim të Mitrevit me një mjek maqedonas, i cili e ka hedhur poshtë teorinë e kardiokirurgut maqedonas.