Klinika e Gjinekologjisë rrezikohet nga frigoriferë të mbushur me placenta

Qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Për shkak të mbingarkesës, dyert e të pesë frigoriferëve nuk mbyllen dot dhe tash ka nisur shkrirja e tyre.

Placentat janë mbetje patologjike nga lindjet dhe abortet.

Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë, në depon e katit të parë.

Rrezik për shëndetin paraqesin posaçërisht tre frigoriferët në katin e tretë. Salla e lindjes është vendi ku rreth 700 fëmijë në muaj vijnë në jetë.

Pesha mesatare e një placente sillet rreth 500 gramë.

“Ne brenda muajit i kemi 500 kilogramë ind placentar, kështu që ato duhet të largohen. Ne nuk kemi ku t’i lëmë. Frigoriferi nuk është zgjidhje. Ato duhet të eliminohen, të asgjësohen ashtu siç i ka hije një indi trupor”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Jakup Ismaili, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.

“Janë disa frigoriferë të mbushur, ata kur nuk janë të mbyllur nuk ngrihen, kundërmojnë, është gjaku, era e rëndë… Distanca nga salla e lindjes është 10-15 metra, kështu që bëj apel që sa më shpejt ata që janë kompetentë të organizojnë largimin e këtyre mbetjeve”, shtoi Ismaili.

Sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), largimin e tyre e bën një kompani private e cila duhet të kontraktohet nga ky institucion. Megjithatë, QKUK-ja tha se për të kontraktuar një kompani për një shërbim të tillë, duhet fillimisht që Komuna e Prishtinës të caktojë një lokacion se ku duhet të groposen këto mbetje.

Ismaili tha se ky problem ekziston që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është bërë kërkesë disa herë për ndarjen e një lokacioni.

“Nëse vazhdon një neglizhencë e organeve kompetente, ne duhet ta mbyllim klinikën apo të falimentojmë. Nuk e di çka do të bëjmë”, tha drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.

Sipas Ligjit për mbeturina dhe Udhëzimit administrativ për menaxhimin e mbeturinave medicinale-patologjike, mbeturina patologjike mblidhen, ruhen dhe trajtohen duke i groposur/varrosur ne vendin e caktuar. Gjatë kësaj procedure, duhet të shtohet edhe material për dezinfektimin e tyre.

Sipas po të njëjtit udhëzim, mbeturina patologjike të vendosura në paketime duhet të ruhen në objektet spitalore me mbyllje hermetike në temperaturë jo më shumë se 8 gradë, dhe nuk duhet të qëndrojnë më shumë se pesë ditë. Në ngrirje të thellë mund qëndrojnë maksimum një vit deri në trajtimin e tyre, kurse vendi i ruajtjes duhet të jetë i mirëmbajtur dhe i dezinfektuar.