Klinë: Thyhen dyert e 12 shtëpive të serbëve

Policia rajonale e Pejës ka njoftuar se të martën, persona të panjohur kanë thye dyert e 12 shtëpive të pabanuara të komunitetit serb në fshatin Grapc të Klinës. Këta persona ende të panjohur për policinë kanë kontrolluar edhe brenda shtëpive.
Në një njoftim për media, policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka të arrestuar dhe se hetimet po vazhdojnë.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Me datën 02.10.2018 rreth orës 08:00 Policia e Kosovës është informuar se në fshatin Grapc-Klinë ishin hapur me forcë dyert e disa shtëpive të pabanuara të komunitetit serb.

Policia e Kosovës, gjegjësisht stacioni policor në Klinë menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, aty kanë takuar dy banore të fshatit Grapc (dëshmitare), sipas të të cilave ato shtëpi janë të pabanuara.

Në vendngjarje nga policët hetues dhe forenzika janë evidentuar dyert e 12- shtëpive të hapura me forcë, ku gjatë shikimit të vendit të ngjarjes vërehet se personat e dyshuar kanë kontrolluar brenda në shtëpi.

Në kuadër të këtyre autorizimeve dhe kompetencave, nga Njësia e Hetimeve stacionit policor në Klinë, në bashkëpunim me njësitë tjera punuese dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, është duke bërë përpjekje maksimale për ndriçimin e këtij rasti.

Në lidhje me rastet është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në terren janë ndërmarrë në koordinim me të. Me udhëzimin e prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si ‘vjedhje e rëndë’, e mbetur në tentativë.