Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj po bëhet shumë individualist.

Veseli në RTV Dukagjini ka thënë se deri më tani ka pasur një raport shumë korrekt me partnerin e koalicionit Ramush Haradinaj, por sipas tij Kryeministri ka filluar të bëhet shumë individual.

“Ajo çfarë po më pengon mua është se [Haradinaj] ka filluar të bëhet individual. Nuk ka vend që në Kosovë të vendosim vetëm qëndrimet tona dhe t’i mbajmë ato absolute. As Presidenti, as Kryeministri as unë, asnjë lider i opozitës nuk guxon të mbajë qëndrimet absolute. Ky është ai trend, që është filluar me modën e Vetëvendosjes me demarkacionin, kur njerëzit e caktuar ose liderët të flasin në mënyrë absolute. Kuvendi është organi më i lartë i Kosovës, aty duhet të debatohen gjërat”.

Kryetar i PDK-së, ka thënë se Haradinaj botërisht ka hequr dorë nga qasja e drejtpërdrejtë në dialog dhe ata bashkë kanë votuar një grup negociatorë.

Ai ka thënë se nuk pajtohet me deklaratën e Haradinajt që të mbahet një konferencë e re për Kosovën pasi do të zhvlerësohej 17 Shkurti./