Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Sipas këtij vendimi, kandidati për kryeminsitër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, mund ta formojë qeverinë. Derisa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka shkelur kushtetuën.

Të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë pajtuar për çështjen se dekreti i presidentit nuk është antikushtetues. Sipas tyre, pas kalimit të mocionit, hapet mundësia e një formimi të një shumice parlamentare për ta zgjedhur qeverinë.

Aty thuhet se gjykata vendosi njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme, shkruan Ballkani.info.

Por, një pikë në këtë vendim është thelbësore. Bëhet fjalë për pikën nëntë të vendimit:

Ja çfarë thotë ajo për Kuvendin:

9. Gjykata theksoi se Kuvendi është institucioni i vetëm në Republikën e Kosovës që zgjedhet drejtpërdrejt nga populli për një mandat katër (4) vjeçar. Përveç Kushtetutës, përfaqësuesit e popullit nuk i nënshtrohen asnjë pushteti tjetër dhe asnjë mandati detyrues. As Presidenti që është zgjedhur prej Kuvendit, nuk e ka kompetencën ta shpërndajë atë pa vullnetin e Kuvendit; e as ushtrimi i kompetencës së Kuvendit për shprehjen e mosbesimit ndaj një Qeverie që e ka zgjedhur vet, nuk mund të rezultojë edhe në përfundimin e mandatit të vet Kuvendit. Kuvendi nuk mund të kushtëzohet në shpërndarjen e vetvetes nëse zgjedh të shprehë mosbesimin ndaj një Qeverie të zgjedhur prej tij, pasi që mocioni i mosbesimit si mekanizëm i kontrollit kushtetues të Qeverisë nga Kuvendi si organ përfaqësues i popullit, nuk do të kishte asnjë kuptim. Një qasje e tillë është në kundërshtim me parimin kushtetues të kontrollit parlamentar të Qeverisë të mishëruar në paragrafin 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 8 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 97 [Përgjegjësia] të Kushtetutës dhe parimet themelore demokratike.