Kjo është përgjigja e Kurtit për shkarkimin e zyrtarit që nënshkroi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Grenell

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në vizitën që i bëri sot Aeroportit “Adem Jashari”, është pyetur nga gazetarët për shkarkimin e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, që është zyrtari që nënshkroi marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Berlin ndërmjetësuar nga ambasadori Richard Grenell.

Kurti ka thënë se nuk ka çfarë i shton vendimit, dhe se për këtë çështje do të flas sot pasdite pas mbledhjes së qeverisë pas së cilës do të mbajë një konferencë për media.

Qeveria përmes një njoftimi ka thënë se e ka shkarkuar Berishën për “shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale”.

Qeveria tutje ka thënë se Berisha ka hartuar e ka nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ndërsa edhe “ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh”.

Por sot Berisha përmes një reagimi e ka quajtur “të jashtëligjshëm” vendimin e marrë nga Qeveria në detyrë.

Ai thotë se arsyeja e vetme e shkarkimit, është krejtësisht politike dhe lidhet me “nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për linjën Prishtinë-Beograd në Ambasadën e SHBA-ve në Berlin, me 20 janar te këtij viti”.