Organizata

Kjo është organizata kosovare që morri mbi 43 milionë euro donacione për ngritjen e cilësisë së arsimit

Kosova që nga pas lufta ka përfituar projekte me vlerë dhjetëra milionëshe për ngritjen e cilësisë së arsimit.Njësoj, edhe organizatat jo qeveritare kanë përfituar miliona për trajnimin e mësimdhënësve dhe përmirësimin e arsimit.Por, gjendja mbetet e mjerë dhe e pashpresë.

Këtë e konstatoi së fundmi hulumtimi shokues i Bankës Botërore për nivelin e nxënësve kosovarë.

Njëra ndër OJQ që përfitoi miliona donacione për arsim është edhe Qendra për Arsim e Kosovës [KEC].

Por, drejtuesi i KEC’it, Dukagjin Pupovci nuk ndihet fajtor për këtë, raporton Periskopi.Para disa ditëve, Banka Botërore publikoi Raportin “Indeksi i Kapitalit Njerëzor [KCI]”, i cili lëshoi kambanën e radhës për gjendjen e rëndë të arsimit në Kosovë.Sipas këtij raporti të publikuar nga Banka Botërore, shkollimi në Kosovë është pesë vite prapa, ashtu që 12.8 vite shkollimi në Kosovë janë të barasvlershme me 7.7 vjet për nga cilësia në krahasim me shtetet që kanë standarde normale.

“Fëmijët në Kosovë deri në moshën 18-vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.