Bedri Istrefi

Kjo është letra që Telekomi ia dërgoi Z-Mobilet për mosvazhdim të kontratës

Telekomi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht edhe Dardafonin për mosvazhdimin e kontratës.

Një ditë pas vendimit të Bordit të Drejtorëve që të mos vazhdohet kontrata me Z-Mobile, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, i ka dërguar një letër përfaqësuesve të kësaj kompanie.

Në letër, Istrefi ka renditur disa fakte për marrëveshjen dhe për dështimin e negociatave.

Në këtë letër po ashtu theksohet se Dardafon ka “pasur qasje destruktive me shkelje brutale të parimeve të mirëbesimit”. Aty Istrefi ka theksuar se Dardafoni kishte aplikuar në fshehtësi për Licencën për operatorin e tretë të Telekomunikacionit në Kosovë dhe inicimin e procedurës së përmbarimit të vendimit përfundimtar të Arbitrazhit.

Në fund, pas përmendjes së arsyeve pse s’po vazhdohet kontrata, Istrefi ka lutur Dardafonin që bashkërisht të marrin veprimet e nevojshme për zbatimin e detyrimeve në periudhën transitore.

Letra e plotë pa ndërhyrje:

I nderuari Gjikolli,

Më lejoni që me autorizimin e dhënë nga Bordi i Drejtorave, fillimisht t’ju rikujtoj disa fakte të cilat, besoj i keni të njohura.

1) Telekomi i Kosovës SH.A. (më tutje • Telekomi) dhe Dardafon.net L.L.C. (më tutje Dardafoni) kishin nënshkruar “Marrëveshjen për Mbështetje- (më tutje Marrëveshja) me dt. 16 Janar 2009;

2) Kohëzgjatja e Marrëveshjes ishte e kushtëzuar ekskluzivisht me kohëzgjatjen e Licencës së Telekomit nr. 111/04 të dt. 30 Korrik 2004 të lëshuar nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse — Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit e cila skadonte me 30 Korrik 2019 dhe me të cilën datë skadonte edhe kohëzgjatja e Marrëveshjes;

3) Për përfundimin e Marrëveshjes me datën 30 Korrik 2019 dhe në kuptim të obligimit ligjor, Telekomi e ka njoftuar Dardafonin zyrtarisht me datën 24 Qershor 2019, apo më shumë se 1 (një) muaj më herët;

4) Në kuptim të nenit 3 të Marrëveshjes, ekipet negociatore të Telekomit dhe Dardafonit kishin zhvilluar negociata për arritjen e ujdisë për termat e një Marrëveshje eventuale të re për plotë 6 (gjashtë) muaj;

5) Të gjitha takimet e ekipeve negociuese, pa përjashtim, ishin të iniciuara nga Telekomi dhe asnjëra nga këto takime nuk u iniciua nga Dardafoni;

6) Gjatë periudhës 6 (gjashtë) mujore të negocimeve dhe për dallim nga Dardafoni, ishte vetëm Telekomi palë e cila kishte dhënë propozime konkrete për arritjen e pajtueshmërisë rreth nënshkrimit të një Marrëveshje të re eventuale;

7) Vet fakti i dërgimit të “Përgjigjes në ofertën komerciale të datës 18 Korrik 2019” me datën 29 Korrik 2019, në orët e vona pasdite dhe vetëm 1 (një) ditë para skadimit të afatit negociues, dëshmon qasjen Tuaj destruktive ndaj gjithë procesit negociues e posaçërisht ndaj Telekomit – partnerit Tuaj afarist, duke e dëshmuar për të satën herë shkeljen e parimit të ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë dhe shkeljen e parimit te mirëbesimit për të cilin vet jeni zotuar në Marrëveshje.

Ju rikujtoj se qasja e Juaj destruktive e përcjellë me shkelje brutale të parimimeve të mirëbesimit, ndershmërisë dhe ndërgjegjshmërisë, u dëshmua edhe me veprimet tjera konkrete të cilat i kishit ndërmarrë në fazën finale/kritike të negocimit:

8) Me datën 21 Qershor 2019, pa asnjë njoftim paraprak dhe në fshehtësi të plotë nga Telekomi, Dardafoni kishte aplikuar Për Licencë Për operatorin e tretë të Telekomunikacionit pranë Rregullatorit — ARKEP, përkundër detyrimit kontraktues për negociata me mirëbesim në statusin e MVNO. Për këtë veprim Tuajin, Telekomi kuptoj nga mediat;

9) Në përfundimin e periudhës 6 (gjashtë) mujore të negocimit, Dardafoni kishte shpalosur haptazi qëllimin për vazhdimin e afatit të negocimit, me arsyetimin e “kohës së shkurtër Për përgjigje ndaj ofertës së datës 18 Korrik 2019”. Prapa këtij propozimi identifikohej qëllimi i vërtet i Dardafonit që me shtyrjen e afatit ta krijon gjendja faktike e cila do mund të interpretohej si pëlqim i Telekomit Për vazhdimin e Marrëveshjes së datës 16 Janar 2009;

Kurse sa i përket “afatit të shkurtër”, Ju rikujtoj se Telekomi Ju dërgoj ofertën komerciale plotë 12 (dymbëdhjetë) ditë para skadimit të afatit Për negocim. Dhe Ju, prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve në dispozicion, përgjigjen e bllokuat plotë 11 (njëmbëdhjetë) ditë duke e dërguar të njëjtën me një element të kundërofertës, vetëm 1 (një) ditë para skadimit të saj;

10) Me datën 08 Korrik 2019 dhe vetëm disa ditë para skadimit të afatit negociues, Dardafoni inicoi procedurën e përmbarimit të Vendimit përfundimtar të Tribunalit të Arbitrazhit 20990/MHM te dt. 09 dhjetor 2016, duke e ditur se përmbarimi do e sillte Telekomin në situatë të papërballueshme financiare, e me qëllim të dobësimit maksimal te pozicionit të Telekomit në fazën më të ndjeshme/kritike të negocimeve.

Sa i përket “Përgjigjes në ofertën komerciale të datës 18 Korrik 2019” të cilën e keni dërguar me datën 29 Korrik 2019 ne orët e vona pasdite, përmbajtja e saj vetëm sa e dëshmon qasjen e Dardafonit me keqbesim gjatë tërë procesit negocues, Për këto arsy:

1) Duke e filluar secilën prej 20 (njëzet) pikave me fjalinë “Me kërkesën Tuaj….” Ju dëshmuat konstatimin nga Pika 6 më lartë se ishte vetëm Telekomi palë e Cila ka qenë më se konstruktive duke dërguar oferta dhe propozime konkrete dhe se Dardafoni për 6 (gjashtë) muaj nuk e dërgoj asnjë ofertë/propozim konkret;

2) Nga gjithësaj 20 (njëzet) propozime të Telekomit, në mënyrë absolute i refuzuat plotë 17 (shtatëmbëdhjetë) sosh, respektivisht 85% të tyre dhe atë, vetëm 1 (një) ditë para skadimit të afatit te negocimit;

3) Në asnjërin prej 17 (shtatëmbëdhjetë) refuzimeve, nuk ofruat asnjë arsye valide por refuzimet i bazuat në vlerësimet paushalle dhe të paargumentuara;

4) Insistimi i Dardafonit për ta patur raportin financiar të Telekomit të përgatitur nga “Mazars” është i pakuptimtë dhe i paarsyeshëm sepse:

a) Është e drejtë legjitime e secilës palë afarise që për nevojat e veta ta kërkon ekspertizën e jashtme profesionale;

b) Ekspertiza e “Mazars” ishte porositur vetëm nga Telekomi, andaj Telekomi nuk kishte asnjë detyrim që tërë ekspertizën t’ia ofron në disponim as Dardafonit dhe as kujdo qoftë tjetër;

c) Ekspertiza financiare është pronë e “Mazars” i cili i ka të mbrojtura të gjitha të drejtat autoriale dhe vetëm me lejen e tij, kjo ekspertizë apo një pjesë e saj mund t’ju zbulohet personave të tretë;

d) Duke iu qasur me mirëbesim te plotë procesit negocues, Telekomi ka arritur ta marrë lejen nga autori “Mazars” për t’Ju shpalosur “Përmbledhjen” të cilën edhe Ju kemi përcjellë dhe nga e Cila keni mundur të kuptoni se cilat ishin konstatimet kryesore të kësaj ekspertize.

5) Në paragrafin e parafundit, keni dhënë një “kundërofertë” vetëm për ndarjen e të hyrave, duke propozuar 33% për Telekomin dhe 67% për Dardafonin, me një mundësi shtesë për diskutim rreth alternativës — ndarjes në nivelin e barabartë. Me këtë propozim, jo vetëm se synoni ta cenoni parimin e ekuivalencës së prestimeve, por fitohet përshtypja se keni ngatërruar statusin e MVO me MVNO;

6) Përfundimisht, Telekomi vlerëson se qëndrimi refuzues i Dardafonit ndaj të gjitha propozimeve kualitative dhe kruciale të Telekomit pa asnjë arsye valide, “kundëroferta” e Dardafonit për ndarjen e të hyrave e cila është ndërtuar në kundërshtim me parimin e ekuivalencës së prestimeve dhe skadimi i afatit të negocimeve, objektivisht e pamundësojnë arritjen e çfarëdo Marrëveshje të re;

Rrjedhimisht, më lejoni t’Ju njoftoj se:

Të gjendur në pozitën faktike të përshkruar si më lartë e Cila është krijuar si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve/mosveprimeve të Dardafon-it në kundërshtim me parimin e mirëbesimit, për të cilin ishte zotuar në Marrëveshjen e datës 16 Janar 2009 dhe në kundërshtim edhe me parimet tjera të legjislacionit aktual të Republikës së Kosovës të cekura më lartë, dhe nisur nga fakti i skadimit te afatit të kontraktuar 6 (gjashtë) mujor për negocim pa asnjë rezultat konkret dhe kualitativ, Telekomi Ju njofton se i shpallë negociatat si të përfunduara pa sukses.

Nga data 31 Korrik 2019 përfundojnë të gjitha raportet kontraktuese mes Telekomit dhe Dardafonit, përpos detyrimeve të parapara me nenin 13 të Marrëveshjes Së datës 16 Janar 2009 që i referohen “Periudhës transitore”.

Andaj, Ju lutem që nga data 31 Korrik 2019, bashkërisht ti ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të detyrimeve në “Periudhën transitore”.

Ju lutem që këtë letër ta shpërndani në dijeni të stafit relevant të Dardafon dhe komisionit të juaja negocijator.

Respekt,

loading…