Kjo është gjendja shëndetësore e Nasim Haradinajt pas infektimit me COVID, flet gruaja e tij

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, i cili është duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit në Hagë, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht po mbahet në izolim, përkundër infektimit me Coronavirus.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Gjejlone Haradinaj.

“Nasimi ka gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka qenë i vaksinuar me dy dozat kundër Coronavirusit. Simptomat janë të lehta një kollë dhe asgjë më shumë, sikur grip sezonal. Për momentin është në izolim”, tha Haradinaj.

Sa i përket trajtimit të Haradinajt ndaj COVID-19, bashkëshortja e tij tha se nuk i është nënshtruar asnjë terapie, për shkak se nuk ka komplikime shëndetësore.

“Ka marrë veç dy kokrra Paracetamol, vetëm për të parandaluar ndonjë temperaturë të mundshme. Nuk i është përshkruar terapi pasi që gëzon shëndet të mirë”, shtoi ajo.

Më tutje, ajo shtoi se për shkak të izolimit, Haradinaj është duke i zhvilluar bisedat me familjen përmes platformës “Zoom”.

Pas vaksinimit, njëri prej të paraburgosurve ka ngritur shqetësime rreth shëndetit dhe pas testimit për COVID-19, kishte rezultuar pozitiv me virus.

Testimit i ishte nënshkruar edhe Haradinaj.

Theksojmë se ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj ishte arrestuar më 25 shtator 2020 në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Arrestimi i tij u bë në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Më 8 nëntor, ishte seanca e fundit e mbajtur ndaj Nasim Haradinaj nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Në këtë seancë, ai kishte hedhur kritika ndaj Gjykatës Speciale duke thënë se kjo e fundit mbështetet nga Qeveria e Serbisë.

“Prokuroria nuk e meriton që unë të jem këtu, që t’ua bëj dekorin. Vendosa të vij këtu të them të vërtetën, veprimet e kësaj Prokurorie dëshmon se jam këtu prej 14 muajsh, kur asnjë provë nuk mund t’i mbështes akuzat qesharake”, kishte deklaruar Haradinaj.

Gjykimi ndaj Haradinajt kishte filluar më 7 tetor të këtij viti dhe është gjykimi i dytë që ka filluar në Gjykatën Speciale.

Deri më tani janë dëgjuar katër dëshmitarë, koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Zdenka Pumper, ish-gazetari i Gazetës Infokus, Halil Berisha si dhe Miro Jukiç, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Punonjësi Operativ i Sigurisë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.