Kishte kryer kundërvajtje për mosdeklarim të pasurisë, pushteti i VV-së e zgjedh komisionere të AIP-ës

Votat e shumicës parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës e kanë zgjedhur komisionere të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmakun, e cila kishte kryer veprën e mosdeklarimit të pasurisë në vitin 2012.

Sogojeva-Dërmaku u zgjodh komisionere e AIP-ës me 65 vota për në procesin votues që u zhvillua sot në kuvend. Kësisoj, ajo siguroi një mandat pesë-vjeçar në krye të kësaj agjencie.

Kandidati tjetër, Enver Bujari ka marrë pesë vota, përdërisa Edona Miftari ka marrë një votë. Në votim kanë marrë pjesë 72 deputetë.

E votuara për komisionere të AIP-ës, Krenare Sogojeva-Dërmaku, kishte kryer kundërvajtje për mosdeklarim të pasurisë në vitin 2012, kishte vendosur Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë.

Ballkani.info ka siguruar aktvendimin e gjykatës kundër Dogojeva-Dërmakut, ndaj të cilës ishte shqiptuar masa e qortimit.

“E pandehura në cilësinë e drejtoreshës në Departamentin Ligjor të Ministrisë të Forcës së Sigurisë nuk e ka deklaruar gjendjen e pasurisë, i cili bëhet me deklarimin e rregullt vjetor deri më daten 31.03.2012 të çdo viti, kalendarik në AKK”, thuhet në aktvendim.

Sogojeva-Dërmaku, e cila asokohe ushtronte funksion publik në Ministrinë e FSK-së, kishte deklaruar se nuk kishte arritur ta mbushte formularin e pasurisë, sipas afateve të parapara me ligj, për shkak se gjatë periudhës kur obligohej ta mbushte formularin ndodhej në pushim të lehonisë.