Kishte edhe fëmijë të pranishëm, Bim Bimma ndezë bari në skenë gjatë koncertit

Një cigare që dyshohet të ketë përmbajtur mariuhana e ka ndezur në skenë reperi Bim Bimma gjatë një performance në Pejë, gjatë koncertit të tij në fundjavë, në kuadër të festivalit “Anibar”. Të pranishëm në koncert kishte edhe fëmijë. Posedimi i narkotikëve është vepër penale e dënueshme edhe me burgim në Kosovë.

“E kom kyçën n’dorë edhe kur pi, unë e duan barin”. Këtë refren të këngës së tij të moçme hit, Burim Kursani, i njohur me emrin artistik Bim Bimma, së fundi e ka përformuar duke e kryer aktin para publikut të pranishëm në koncertin e tij.

Ai gjatë një performance në Pejë, që nisi të shtunën rreth mesnate dhe vazhdoi deri në orët e para të ditës tjetër, u paraqit me një cigare që dyshohet të ketë përbujtur mariuhana (Cannabis) – që ndryshe në zhargonin popullor njihet edhe si “bari” siç edhe i referohet në këngë reperi i njohur.

E kur erdhi radha të përformohet kënga “Un e dua barin”, Bim Bimma nuk hezitoi që ta ndezë në skenë “kyçën” e tij, para një grumbulli publiku kryesisht të rinjsh që kishin shkuar ta ndjenin përformancen e tij në kuadër të festivalit “Anibar” në Pejë.

Madje, në pamjet e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, afër skenës ku po përformonte Bim’i dhe po ndizte “kyçën” kishte edhe fëmijë të pranishëm në publik.

Si para fëmijëve ose edhe të rriturve, posedimi i narkotikëve në Kosovë është vepër penale, e dënueshme, përveç me gjobë edhe me burgim. Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet për këdo që Posedon paautorizim narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.

I kontaktuar nga Gazeta Online Reporteri.net, reperi Bim Bimma, të enjten, fillimisht refuzoi të përgjigjet në lidhje me rastin me arsyetimin se ka dy vite qe nuk jep intervista dhe prononcime për media.

Disa minuta më pas, vetë ai përmes një mesazhi telefonik reagoi në lidhje me rastin. Duke mos e mohuar veprimin e tij në skenë, Burim Kursani mohoi vetëm se ka pasur fëmijë të pranishëm në koncertin e tij.

“Fmi s’ka pas, se n’12:20 t’natës kom dal me performu”, ka shkruar ai në përgjigjen e tij.

“N’koncerte t’mija s’ka fmi normalisht! Bojini mir hulumtimet”, shton tutje reperi për Gazetën Online Reporteri.net.

Por, pamjet e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net dëshmojnë të kundërtën. Personi të cilin gazeta i ka mbuluar fytyrën në pamjet në videon (më lartë) është një nga disa fëmijët që kanë qëndruar shumë pranë skenës ku ka përformuar reperi gjatë fundjavës dhe ku gjatë performancës dyshohet se ka kryer vepër penale duke ndezur cigare me mariuhanë në skenë.

Një veprim i ngjashëm se i Bim Bimmës ishte kryer në një tjetër festival në Kosovë gjatë gushtit të vitit 2018. Por se menjëherë kishte reaguar Policia e Kosovës.

Reperi i famshëm në botë, me prejardhje shqiptare, Action Bronson, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës menjëherë pasi kishte zbritur nga skena e “Sunny Hill Festival” në Prishtinë, ku gjatë përformances së tij kishte ndezur marihuanë në skenë.

Por fatin e Bronson nuk e pati edhe Bim Bimma. Ai u largua të dielën nga Peja pa asnjë telash me Policinë, ndonëse dyshohet se shkeli ligjin.

Madje, del se Policia e Kosovës as nuk ka informacion për veprimin e reperit kosovar.
“Bazuar në kërkesën tuaj në stacionin policor në Pejë nuk ka të raportuar rast e as të intervistuar ndonjë person”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazetën Online Reporteri.net.

Por, edhe pse Policia deklaron se nuk ka informacion, vetë reperi nuk e ka fshehur fare veprimin e tij. Ai në një nga fotografitë e publikuara në rrjetet sociale të përformanës së tij në Pejë e shfaq pikërisht momentin kur dyshohet se ka ndezur cigare me mariuhanë në skenë.

“Shumë dashuri për njerëzit e mi”, shkruan ai ndër-tjera.

Për të shikuar videon klikoni më poshtë:

VIDEO