Kirurgët të pakënaqur, kërkojnë koeficient të njejtë me gjyqtarët dhe prokurorët

Mjekët kirurgë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë hyrë në grevë që nga data 17 Dhjetor të vitit të kaluar me kërkesë për ngritje të pagash.

Pas miratimit të Projektligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës, koeficienti i pagave për kirurgët ka mbetur i pandryshuar, andaj si rrjedhojë greva është duke vazhduar.

Në një prononcim për Ballkani.info, kirurgu i përgjithshëm në QKUK, Arbër Morina ka thënë se janë të pakënaqur me mospërfilljen e kërkesave të kirurgëve, andaj edhe është duke vazhduar greva.

“Ne nuk jemi qesharak t’i fillojmë dhe mbarojmë grevat brenda ditës. Greva e kirurgëve ka filluar më 17 Dhjetor të vitit të kaluar dhe nuk ka ndalur për asnjë moment. Kërkesat tona kanë qenë të qarta besoj, kemi dashur të kemi koeficient të njejtë me gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët me projektligjin për paga ishte parashikuar ta kenë koeficientin e pagave 10-të, por pastaj iu është ndryshuar në 8-të, andaj edhe kishte ndryshuar kërkesa jonë pra e kemi kërkuar edhe ne koeficientin e njejtë”, ka thënë Morina.

Aktualisht, kirurgët kanë koeficientin e pagës 5, që i bie se marrin një mijë e 195 euro pagë mujore, kurse me kërkesën e tyre për koeficientin 8, do të merrnin një mijë e 912 euro pagë mujore.

Kujtojmë se greva e kirurgëve në QKUK kishte bërë që brenda ditës të refuzohen nga 200 raste të intervenimeve dhe përjashtim ka pasur vetëm për rastet emergjente. /Ballkani.info/