Kinolli: Policia e bëri punën e vetë, gruaja rome me vetëdëshirë u largua nga strehimorja dhe doli në qytet

Sot është sulmuar përsëri fizikisht gruaja e komunitetit rom, kësaj here në Ferizaj.

E njëjta ishte sulmuar para dy ditëve në Lipjan, sulm i cili kishte ngjallur reagime të shumta.

Përmes rrjetit social Facebook, kishte reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës i komunitetit rom, Albert Kinolli, shkruan Ballkani.info.

Kinolli kishte thënë se ka folur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili i kishte garantuar mbrojtje ndaj gruas të komunitetit rom.

Pasi e njëjta grua është sulmuar edhe sot në Ferizaj, Ballkani.info ka kontaktuar me deputetin Kinolli për të marrë vesh se a është i informuar për ngjarjen.

Kinolli ka thënë se sapo ka përfunduar telefonatën me Rashit Qalajn, dhe se është plotësisht i informuar rreth rastit, porse ka thënë se janë marrë të gjitha masat për mbrojtje ndaj saj, por zgjedhja e saj ka qenë të largohet nga strehimorja.

“Sapo kam përfunduar telefonatën me Drejtorin e Policisë, Rashit Qalajn. Unë edhe në rastin e parë e kam kontaktuar Qalajn dhe më ka siguruar se do t’i ofrohet siguri gruas së sulmuar. Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e Kosovës i kanë ofruar të gjitha kushtet për siguri ndaj viktimës të komunitetit rom, e kanë dërguar në strehimore dhe i kanë thënë se duhet të qëndrojë aty për një kohë, por pasi ajo është e moshës madhore ka zgjedhur që brenda pak orëve të largohet nga strehimorja”, ka thënë Kinolli për Ballkani.info.

Tutje, deputeti ka thënë se gruaja në fjalë me vetëdije të plotë dhe në gjendje të mirë shëndetësore dhe mendore, ka zgjedhur të largohet nga strehimorja duke thënë se nuk dëshiron të qëndrojë aty.

Kinolli ka thënë se gjithçka çfarë ka pasur mundësi të bëjë policia dhe institucionet, e kanë bërë, ndërsa ka theksuar se është ende në kontakt me institucionet për të parë se çfarë tjetër mund të ofrohet. /Ballkani.info