Kina drejt Spanjës dhe Portugalisë si aleatë në një Europë mosbesuese
Në mes të një lufte tregtare me SHBA-në, Kina kërkon të forcojë lidhjet e saj me Spanjën dhe Portugalinë, dy partnerë të kuptueshëm ndërkohë që vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian përpiqen të limitojnë investimet kineze.
Presidenti kinez, Xi Jinpong zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Madrid para se të shkojë në Portugali më 4 dhe 5 dhjetor.
“Kjo është një manovër gjeopolitike për të mbajtur marrëdhëniet në një çast të komplikuar për Kinën”, shpjegon Angel Saz Carranza, drejtor i qendrës spanjolle të gjeopolitikës dhe sipërmarrjes ESADEGeo.
SHBA-ja ka goditur tashmë 250 miliardë dollarë produkte kineze me taksa doganore dhe kërcënon se do të taksojë edhe 267 miliardë dollarë importet e tjera nëse nuk gjendet asnjë marrëveshje me Pekinin.
Në dhjetor, shtetet anëtare të BE-së do të shprehen mbi një dispozitiv të kontrollimit të investimeve të huaja, mbi të gjitha ato kineze, për të mbrojtur sektorët kyçe si energjia.
“Ky është çasti i deklaratave publike për t’u përpjekur që të zbutet opinioni europian”, shtoi Angel Saz Carranza.
Si të ishte një dorë e zgjatur, Xi garantoi sot në Madrid se “Kina do të lehtësojë aksesin në tregun kinez dhe përforcojë mbrojtjen e pronës intelektuale”.