Analisti dhe shkrimtari i njohur Kim Mehmeti, ka ironizuar me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Mehemti ka thënë se Osmani ka “mahnitur” edhe mediat maqedonase se si presidentja e përkohshme ka shprehur mospajtime me qëndrimin e Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE, këtë Osmani e ka cilësuar si gabim të madh.

Ai ka shkruar se e habit mendjelehtësia e politikanëve shqiptarë që bëhen strateg rajonal dhe pjesë e mosmarrëveshje të popujve tjerë që kanë dimension etnik.

Mehmeti ka shkruar tutje se duhet t’i tregon dikush Vjosa Osmani se në Maqedoni ende sundon mendësia e politikë serbe me parullat “Maqedonia vetëm e maqedonasve”, “vdekje shqiptarëve dhe bullgarë-tatarë”.

Postimi i plotë pa ndërhyrje nga Mehmeti:

Mediat maqedonase janë ‘mahnitur’ nga Presidentja e ‘përkohshme’ e Kosovës e cila publikisht e paska shprehur mospajtimin e saj lidhur me qëndrimin ‘bllokues’ të Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE-së dhe këtë veprim të Sofjes zyrtare e paska vlerësuar si gabim të madhe?!

Më habit mendjelehtësia me të cilën disa media dhe politikanë shqiptarë bëhen strateg rajonal dhe pjesë e mosmarrëveshjeve mes popujve të tjerë, e që kanë dimension etnik, e jo shtetëror.

Nuk ka dyshim se ne nuk duhet të jemi kundër interesave të asnjë populli, se është në interes edhe të shqiptarëve të Maqedonisë që shteti ku ata jetojnë, sa më shpejt të anëtarësohet në BE, por është e pakuptimtë të merresh me atë se si një shtet, apo një popull tjetër, e mbron të vërtetën për vetveten!

Si do qoftë, do ishte mirë dikush t’i tregonte Presidentes së ‘përkohshme’ të Kosovës se në Maqedoni ende mbisundon mendësia politike serbe kur bëhet fjalë për jo maqedonasit dhe se, themelet e këtij shteti janë të betonuar, dhe ende ato forcohen, me parullat ‘Maqedonia vetëm e maqedonasve’, ‘Vdekje shqiptarëve’ dhe ‘Bullgarë-tatarë’.

Andaj as na ka hije, as dikush e pret nga ne, që dajakun e djeshëm ta harrojmë ende pa ardh e nesërmja, njësoj siç nuk na ka hije të shtiremi se nuk e dimë që, sado të mirë të jemi ndaj tyre, shumë maqedonas, do vazhdojnë të brohorasin ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë’ edhe atëherë kur ata t’i rreh serbi, apo të mos i pranojë si popull greku e bullgari! (Kim Mehmeti).