Kili po përballet me protesta të dhunshme dhe vrasje, Kosova po merr pjesë në Kampionat Botëror atje

Kili po përballet me protesta të dhunshme së fundmi, ndërsa raportohet se së paku 11 njerëz janë vrarë.

Presidenti i këtij vendi jug-amerikan, Sebastián Piñera ka thënë se Kili është në luftë.

E ndërkohë, në këtë shtet aktualisht gjendet edhe ekipi i Përfaqësueses së Kosovës në Karate, i cili po merr pjesë në Kampionatin Botëror të karatesë për kadetë, juniorë dhe U21, që do të mbahet nga 23-27 tetor në qytetin e Santiagos.

Federata e Karatesë e Kosovës njofton se ekipi kosovar është shëndosh e mirë në Santiago, përkundër protestave që po zhvillohen atje.

“Së bashku me përfaqësuesen e Kosovës në karate gjendet edhe kryetari Ismet Krasniqi, i cili është në vazhdimësi në kontakte me drejtuesit e sigurisë së shtetit të Kilit, po ashtu me Institucionet e Sigurisë të Kosovës si dhe drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës për çdo ndryshim te situatës”, njofton Komisioni për Informim i FFK-së, i cili i uron suksese Përfaqësueses së Kosovës.

Kjo e fundit do të marrë pjesë në Botëror me 14 garues.

loading…