KGJK- Deputetëve: Lërini gjyqtarët të qetë në punën e tyre, ja detajet për dënimin e 18 vjeçarit rom

Shenoll Tahiri, 18 vjeçar nga komuniteti rom është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të grabitjes si dhe armëmbajtjes pa leje.

I njëjti në një pikë të “Moneygram”, kishte vjedhur 400 euro, ndërkaq që për këtë vepër penale të cilën e kishte kryer nën kërcënimin e armës, transmeton Ballkani.info.

Lidhur me lartësinë e dënimit, kishin reaguar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e Frashër Krasniqi.

E lidhur me këto reagime, përmes një komunikate për media është deklaruar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, shprehet i shqetësuar lidhur me deklaratat e deputetëve të publikuara në shtypin ditor me titull: “Deputetët reagojnë pas dënimit me 7 vjet burgim për 18 vjeçarin e komunitetit rom”.

“Sa për informimin e drejtë të publikut, ky nuk është aktgjykimi i parë që për veprën penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 është shqiptuar dënimi me burg prej 7 vjet, e që është minimumi i dënimit të paraparë me ligj”, thuhet në reagim.

“Kështu që deklarata të tilla paraqesin ndërhyrje direkte në sistemin gjyqësor, por edhe mosbesim në institucionet kushtetuese të vendit. Lusim të gjithë akteret politik që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e tilla tendencioze, dhe t’i lënë gjyqtarët të qetë në punën e tyre”, thuhet tutje në reagim.

E për të njëjtin rast, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dërguar edhe aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Aty përshkruhet se si i akuzuari, Shenoll Tahiri, nën kërcënimin e armës, kishte vjedhur 400 euro në një pikë të “Moneygram”.

“Në datën 10.09.2018 rreth orës 12:20 në Podujevë,në rrugën “Zahir Pajaziti” në Filijalen e “Moneygram” me qellim që vetës apo personave tjerë ti sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror,me përdorimin e forcës dhe të kanosjes serioze ka hyrë me armë zjarri-pistoletë në duarë duke e drejtuar kah pronari i “Moneygram”tani i dëmtuari Besim Salihu duke e detyruar që t’ia jap paratë e gatshme në shumë prej 400,00 Euro dhe në atë mënyrë përvetësoi sendin e huaj të tani të dëmtuarit Besim Salihu,e pas kësaj me armë në dorë është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktvendim.

Po ashtu, Tahiri është shpallur fajtor edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Atij i është shqiptuar dënim unik me 7 vjet e gjashtë muaj burgim si dhe me 600 euro gjobë.
Kujtojmë se kjo çështje ka ngritur shqetqësime të mëdha në opinion, ndërsa nga njohës të çështjeve juridike ishtë cilësuar se ky është dënimi më i vogël i paraparë me ligj.