Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka njoftuar se në Kampin Bondsteel kanë arritur 70 automjete ushtarake dhe personel mbështetës, më 22.08.2025.
Sipas njoftimit të KFOR-it, kjo shënon përfundimin e dislokimit të përkohshëm të forcave shtesë rezervë në Kosovë, në mbështetje të misionit të KFOR-it për qëllime stërvitore.
“Kontingjenti britanik, i përbërë nga më shumë se 350 ushtarë të “Rojeve Skoceze” (Scots Guards), do të zhvillojë aktivitete stërvitore së bashku me personelin e KFOR-it”- thuhet në njoftimin e KFOR-it më 22.08.2025.
KFOR shton se ky aktivitet realizohet rregullisht, i cili synon të përmirësojë gatishmërinë operacionale të KFOR-it dhe aftësinë për të reaguar në mënyrë efektive ndaj zhvillimeve të sigurisë.
“Pas përfundimit të misionit, Rojet Skoceze do të kthehen në bazën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar”- njofton KFOR.

Nga KFOR kanë theksuar se aktiviteti zbatohet në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it nga OKB-ja, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.






