Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se nuk ka dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato.
Përgjigja e KFOR vjen pas deklaratave të Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, e cila ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse.
KFOR gjatë ditës së sotme ka thënë se “Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar që është kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”.
Ata potencojnë se ngjarja e përmendur nga deputetja britanike Alicia Kearns i referohet vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilian ishte i angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it.
“Për praninë e supozuar të paligjshme të armëve është raportuar në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtutjeshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk doli asnjë dëshmi për atë që u raportua”, kanë thënë ata.
KFOR tutje potencon se për sundim të ligjit, përgjegjëse janë institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit dhe është në kompetencë të organizatave të sigurisë së Kosovës”, kanë thënë nga KFOR në një përgjigje për mediat.
Kujtojmë se parlamentarja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe për pjesëmarrje në kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”, ka deklaruar Kearns.
Deputetja britanike këto deklarata i kishte bërë dje gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës”.







