Këto të dhëna e demantojnë Albin Kurtin, i cili tha se nuk ka qenë në odën e Kamer Metajt (FOTO)

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, direkt në Rubikon, foli për vrasjen e dyfishtë që ndodhi sot në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe grabitësi i bankës NLB, Kamer Metaj.

Kurti e quajti lajm tragjik dhe tha se duhet dënuar ashpër ky akt i agresionit.

“Ishte lajm tragjik e i tmerrshëm. Më lejoni t’i shpreh ngushëllimet familjes Demaj, kolegëve të policit të vrarë dhe Policisë së Kosovës, sepse dhembja dhe pikëllimi nuk është vetëm i tyre por gjithë shqiptarëve. Një polic vritet në krye të detyrës, dhe tani ai është dëshmor i vendit. Në këto momente të vështira për të gjithë neve, vetëm na duhet të presim të dhëna zyrtare, por qysh tash duhet dënuar ashpër akti i tillë i agresionit”, tha Kurti në Rubikon.

Dorasi që po identifikohet edhe si simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se nuk e njihte dhe kurrë nuk kishte shkuar në odën e tij.

“Në bazë të fotografive nuk më kujtohet por është e mundshme të jetë anëtar i yni. Është për të ardhur keq, lajm i tmerrshëm por ka ndodhur çfarë ka ndodhur tash. Istogu është i vogël dhe nga të dhënat zyrtare do ta marrim vesh kush ishte saktësisht. Është përhapur lajmi që unë kam qenë në odën e tij, nuk është e vërtetë. Kam qenë në odën e Muharrem Metajt që nga LDK ka kaluar në VV, mund ta ketë kushëri dorasin por s’kam qenë në odën e tij”, tha kryetari i Lëvizjes.

Megjithatë, janë dy dëshmi bindëse që tregojnë se Kurti ishte në odën e Kamer Metajt më 15 shtator në përgatitjen e protestës së 29 shtatorit, shkruan Ballkani.info.

Në postimin e kusheririt të Kamer Metajt, Hysenit, në Facebook, ai në videon e postuar shkruan: “Tubim me Albin Kurtin në odën e Kamer Metaj”. Në këtë video të bërë live aso kohe në Facebook, Kurti shihet duke folur gjatë.

Po ashtu, Ballkani.info e ka siguruar edhe njoftimin e bërë për këtë tubim.

Në tubimin publik ku ftoheshin të merrnin pjesë aktvistët e VV-së, thuhej se, të shtunën, më 15 shtator në orën 20:00 do të mbahet tubim në odën e Kamer Metajt, në fshatin Shushicë e Ulët (afër shitores së fshatit.

“Pjesëmarrës: Albin Kurti – kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Agron Avdijaj – kryetar i Lëvizjes”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Qendra e Vetëvendosjes në Istog./Ballkani.info/